Mungesa e një plani arsimor po i lë të rinjtë pa punë

Kosova

Mungesa e një plani arsimor po i lë të rinjtë pa punë

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 20:27
Universiteti i Prishtinës

Sipas analistëve, të rinjtë po fokusohen për të studiuar në drejtime të cilat nuk i kërkon tregu.

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, listat e aplikuesve nuk janë edhe aq të gjata.

Madje ka raste që numri i tyre është më i vogël se numri i studentëve që është planifikuar të pranohen.

Por janë pikërisht këto drejtime, që do t’iu mundësonin të rinjve më shumë vende pune.

Sipas analistit Armend Muja, drejtimet që ofrohen nëpër universitete në Kosovë, nuk përkojnë me atë që kërkon tregu.

Të rinjtë e vendit po orientohen në juridik e në shkenca sociale, por analistët vlerësojnë se për këto drejtime nuk ka vende pune më në Kosovë.

E fajin kryesor për këtë dukuri ky analist ua vë sistemit arsimor. Thotë që mungon një plan afatgjatë arsimor, prandaj edhe papunësia është në nivel të lartë.

Kërkesat e tregut janë tërësisht të kundërta me atë se ku po fokusohen kosovarët.

Këtë e thotë edhe Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Sipas Rukiqit, tregut i nevojitet diçka tjetër.

Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, për tremujorin e vitit 2019, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune, e në kuadër të tyre shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.7%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat