Nënshkruhet marrëveshja për pagesën e shpronësimit për dy ndërmarrje

Kosova

Nënshkruhet marrëveshja për pagesën e shpronësimit për dy ndërmarrje

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 11:51
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Komuna e Prishtinës kanë arritur marrëveshje mirëkuptimi për pagesën e shpronësimit të ndërtesës “Shtëpia e re e mallrave”, pronë e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” dhe për një pjesë të tokës së ndërmarrjes shoqërore “Slloga” (KHT Kosova).

Marrëveshja është nënshkruar sot në selinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.

Ndërtesa “Shtëpia e re e mallrave” është shpronësuar në muajin gusht të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Kosovës për interes publik.

Ministria e Financave e ka bërë vlerësimin e pronës së ndërtesës, drunjve pyjorë dhe drunjve frutorë në shumën prej 5,873,155 euro për ndërtesën dhe shpronësimin në shumë 152,490 euro e një pjesë të tokës (170m2) për Ndërmarrjen Shoqërore “Slloga” (KHT Kosova).

Sipas vendimit të Qeverisë, Komuna e Prishtinës obligohet të jetë pjesë e pagesave gjatë procedurës së bartjes së pronës në Komunë.

Komuna është përcaktuar si organ përgjegjës për zbatimin e kompensimit për punëtorët e NSH-ve sipas legjislacionit në fuqi, duke transferuar mjetet monetare në llogarinë e AKP-së si dhe pagesat eventuale për kreditorët e NSh-ve përkatëse.

Për ndërtesën “Shtëpia e re e Mallrave” 20% e shumës për pagesë për punëtorët e NSh-ve është 1,174,631 euro, ndërsa për tokën e NSh “Slloga” ndërlidhur me objektin e Gërmisë në Prishtinë 20% e shumës për pagesë për punëtorët e NSh-ve është 30,498 euro.

Me marrëveshjen e nënshkruar, komuna e Prishtinës ka marrë obligim që pagesa e mjeteve për 20 % për punëtorët e NSh “Gërmia” të bëhet brenda viteve 2019-2021, dhe atë kësti i parë në tetor 2019, kësti i dytë në shkurt 2020 dhe kësti i tretë në muajin shkurt 2021.

Ndërkaq, për punëtorët e NSh “Slloga” (KHT Kosova) pagesa e 20% nga komuna do të bëhet në llogari të AKP-së deri në tetor 2019.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat