GAP: Prizreni me tetë E-kioska, vetëm dy janë në funksion - Bota Sot
GAP: Prizreni me tetë E-kioska, vetëm dy janë në funksion

Kosova

GAP: Prizreni me tetë E-kioska, vetëm dy janë në funksion

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 15:03
Instituti GAP

Instituti GAP ka prezantuar raportin “Ngecjet e komunave në funksionalizimin e kioskave elektronike për ofrimin e shërbimeve administrative”.

Nga 38 komuna, 19 kanë instaluara 42 E-kioska elektronike për lëshimin e dokumenteve, por gjysma prej tyre janë jo funksionale, ndërsa vetëm 5 për qind prej të gjitha dokumenteve të lëshuara nga të gjitha komunat janë lëshuar nga kioskat elektronike.

Agron Demi analist politikash në GAP theksoi se reforma e digjitalizimit pothuajse nuk ka qenë prioritet as i kësaj qeverie.

Sipas tij, 10 milionë euro në vit sipas auditorit gjeneral shpenzohen për blerje të pajisjeve elektronike dhe nuk janë 100 për qind funksionale.

Demi: Nuk ka përmirësim të shërbimeve në formë digjitale për qytetarët

“Edhe në këtë mandat sikur në mandatet e kaluara ajo që ka ndodhur me administratën publike është vetëm politizim i administratës, degradim profesional, shpenzim më i madh i buxhetit e në anën tjetër nuk ka përmirësim fare për shërbime ndaj qytetarëve, sidomos sa i përket lehtësimit të marrjes së shërbimeve në formë digjitale”, tha Demi. 

Ndërsa, Bekim Salihu hulumtues i lartë në GAP deklaroi se shërbimi i E-kioskave përveç që nuk është i shtrirë në tërë komunat e Kosovës, në 19 komuna sa kanë instaluar këto kioska, janë të vendosura 42, prej tyre janë funksionale vetëm gjysma ose 22. Sipas tij, vetëm në komunën e Prishtinës janë funksionale të katër E kioskat sa janë të vendosura, por është një numër mjaft i vogël i dokumenteve që janë lëshuar në mënyrë elektronike.

Salihu: Prizreni me tetë E-kisoka, vetëm dy janë në funksion

“Komuna me numër më të madh të E-kisoka të vendosura është Prizreni, prej tetë E-kisoka, vetëm dy janë funksionale, në Ferizaj dhe në Gjakovë janë të vendosura nga dy “E-kioska” dhe në të dy qytetet janë funksionale. Në Gjilan janë të vendosura katër E-kisoka dhe të katërtat janë jo funksionale. Në Pejë janë të vendosura tri “E-kioska” dhe një është funksionale. Po ashtu në Mitrovicë janë të vendosura tri ‘E-kioska’ dhe vetëm njëra është funksionale. Ndërkaq, vetëm Prishtina ka bërë që të jetë komuna e cila I ka të vendosura katër E-kisoka dhe që të katërtat janë funksionale”, deklaroi Salihu.

Arsyet e mos funksionimit të këtyre aparateve, janë të ndryshe, në disa raste mungon interneti për këto pajisje e në disa raste ka munguar energjia elektrike që pastaj komunat e kanë pasur të pa mundur t’i funksionalizojnë. Po ashtu sipas Salihut ka edhe probleme të tjera teknike siç është vendosja këtyre aparateve në hapësira të pa përshtatshme si dhe mos mirëmbajtja e tyre me letër e të tjera. Ndërsa, komuna e Podujevës ka një E-kiosk që ka dal të jetë funksional.

Ndryshe, në vitin 2018 komunat kanë lëshuar 2.2 milionë dokumente të ndryshme për qytetarët në formë fizike, ndërkaq në formë elektronike ose nëpërmjet E kioskut janë lëshuar 117 mijë dokumente. Qytetarët janë të interesuar që t’i përdorin këto E-kioska, mirëpo ekziston një pamundësi teknike dhe administrative nga ana e komunave që t’i ofrojnë këto shërbime më lehtë dhe më të qasshme për qytetarët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...