Kosova ka mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë

Kosova

Kosova ka mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 21:02
Foto ilustrim

Kosova po përballet me mungesë të fuqisë punëtore profesioniste në sektorë të ndryshëm. Këtë e potencojnë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, por edhe vetë punëdhënësit në Kosovë.

Një ndër barrierat kryesore të sektorit privat në Kosovë është mungesa e aftësimit profesional. Nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, thonë se profesionet më të kërkuara janë ato në ndërtimtari, bujqësi, e profesione të tjera, ndërkohë që të rinjtë e kualifikuar synim kanë tregun evropian dhe po ikin nga vendi.

Punëdhënësi Bedri Kosumi, viteve të fundit ka investuar shumë në mekanizma teknologjikë, për arsye, siç thotë ai, ka vite që përballet me mungesë të punëtorëve bujqësorë.

 “Për punëtorë sezonalë është jashtëzakonisht shumë problem. Kjo na mundëson që të jemi më të pavarur nga dora e njeriut, sepse ka diku 5 vite  kur vije koha për nxjerrjen e patates dhe ujitjes, ne ballafaqohemi me mungesë të punëtorëve”, tha Kosumi, për Radio Kosovën.

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Punëtorëve, Avni Ajdini thotë për Radio tonë se Kosova ka mjaft ekspertë të fushave të ndryshme, por është evidente se ata po largohen nga vendi.

 “Ne kemi mjaft ekspertë, por eksperti nuk vlerësohet dhe nuk paguhet. Për këtë arsye ai nuk shkon për të punuar, dhe ngel një vakum, dhe aty merret një punëtor i ri dhe nuk e njeh mirë atë zanat, pastaj ndodhin tani edhe probleme”, tha Ajdini.

Ajdini tutje thotë se në Kosovë duhet të punohet që fuqinë punëtore ta ofrojnë me kërkesat në tregun e punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat