100 vajza të reja marrin pjesë në kampin “Wisci” në Kosovë

Kosova

100 vajza të reja marrin pjesë në kampin “Wisci” në Kosovë

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 12:36
Sot është bërë hapja solemne e kampit ndërkombëtar “Wisci Girls Steam Camp”

Me qëllim të krijimit të lidershipit për vajza të reja dhe aftësimit të tyre profesional, sot është bërë hapja solemne e kampit ndërkombëtar “Wisci Girls Steam Camp”. Në këtë kamp pjesëmarrëse do të jenë 100 vajza nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia e ShBA-të. Ato do të bashkohen me liderë të teknologjisë për të mësuar shkencë, teknologji, art, dizajn dhe lidership.

Petrit Selimi, shef ekzekutiv i korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” për Kosovë tha se mrekullia e këtij kampi është se këto 100 vajza vijnë prej vendeve të ndryshme.

Ky partneritet publiko-privat tha se po sjell për herë të parë në Kosovë një mundësi të jashtëzakonshme të zhvillimit profesional të vajzave të moshave të reja.

Selimi: Synojmë që të krijojmë lidershipin e ardhshëm tek vajzat

“Synimi jonë është që të krijojmë lidershipin e ardhshëm tek vajzat dhe tek gratë në Kosovë. Ju e dini që tek ne si tek vendet e punës, ashtu edhe në arsim gjinia femërore nuk e ka potencialin e njëjtë si meshkujt, dhe me këtë kamp synojmë që ta shtyjmë bashkë shkencën, matematikën, inxhinjerinë edhe në atë pjesën e përfshirjen gjinore. Kampi ka edhe një rëndësi tjetër sepse sjell vërtetë emra shumë të mëdhenj të industrisë amerikane. NASA është për herë të parë në Kosovë, dhe për dy javë sjell eksperimente si në kodim, në dizajnim, në projekte të gjithësisë, pra të gjitha këto eksperimente do të bëhen në laboratorin e Universitetit AAB”, tha Selimi.

Ky kamp veror është dy javorë për çka Selimi tha se synojnë që të jetë i përvitshëm.

Sarah Olmstead, drejtoreshë e korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, tha se ky kamp synon që të rris numrin e vajzave të përfshira në këto fusha, e po ashtu edhe të përgatisë dhe fuqizojë ato në aftësi të lidershipit.

Olmstead: Është me rëndësi të diskutimit të sfidave të ndryshme në këto fusha (Video) “ Ky kamp është me rëndësi sepse pjesëmarrëset që vijnë sot këtu janë prej Kosovës, prej Shqipërisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Serbisë edhe prej Amerikës, synon me i bo bashkë, t’i diskutojnë gjërat, sfidat e ndryshme në këto fusha, por edhe të njëjtën kohë të shohim që jemi shumë më mirë, kur jemi së bashku t’i diskutojmë problemet dhe sfidat, se sa kur jemi të ndarë në vende të ndryshme. Kjo shkon edhe në drejtim të integrimit rajonal për t’u ballafaquar me sfida të ndryshme që e presin rajonin”, tha ajo.

Drejtoresha e kampit, Bayely Lauschen tha se ky kamp veror për vajza është një prej eksperiencave më të mira jetësore.

Lauschen: Hapni mendet dhe zemrat tuaja

“Hapni mendjet, zemrat tuaja dhe sfidoni veten tuaj që të dilni jashtë zonës së rahatisë. Nëse jeni këtu, veçse keni bërë hap të madh jashtë zonës suaj të rahatisë meqë kjo është diçka krejtësisht e re. Në ditët dhe javët në vazhdim ju sfidoj të provoni ushqim ndryshe e të krijoni shoqëri me njerëzit me të cilët kurrë nuk keni menduar se do bëheni shokë. Dua t’ju sfidoj të përdorni zërin tuaj nëse jeni nga personat e qetë. Sfidojeni veten të flisni. Nëse jeni nga personat që ju pëlqen të flisni, sfidojeni veten t’ju ofroni hapësirë personave të qetë në mesin tonë”, ka thënë ajo.

Rudina Gashi është njëra nga 100 pjesëmarrëset e këtij kampi veror. Ajo thotë se për këtë kamp ka dëgjuar në muajin prill, për çka sot thotë se është shumë e lumtur që është pjesë e saj për t’u njoftuar edhe me kulturën e vajzave nga vendet  e ndryshme.

Gashi: Shpresoj që të më hap shumë rrugë në të ardhmen

“Do të më ndihmojë në gjuhë që ta përfeksionoj më shumë, me kontaktu me vajzat e tjera, që vijnë prej vendeve të ndryshme e po ashtu që të mësoj shumë gjëra të reja, dhe të më hap shumë rrugë në të ardhmen”, u shpreh ajo.

Lakita Lloyd e cila vjen nga New Jersey, thotë se është hera e parë që vije në Kosovë për t’u bërë pjesë e këtij kampi veror për vajza.

Lloyd: Është hera e parë që kam dëgjuar për Kosovën (Video) “Është hera e parë që kam dëgjuar për Kosovën kur aplikova për ... Është mirë dhe ndryshe nga ShBA-ja. Vij nga New Jersey. Këtu në Kosovë ka shumë hapësirë, kualiteti i ajrit është shumë ndryshe, është më i freskët. Është diçka ndryshe dhe mirë që ndodhem në një ambient të ri, të përjetoj gjëra të reja, të takoj njerëz tjerë dhe të përjetoj kulturë të re”, ka thënë ajo.

Mentorë të këtyre vajzave do të jenë përfaqësues të kompanive të ndryshme, si NASA, Microsoft, e shumë kompani të tjera me ndikim në industrinë amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat