Latifi: Për shkak të grevës, 9 punëtorëve iu ndalua hyrja në aeroport

Kosova

Latifi: Për shkak të grevës, 9 punëtorëve iu ndalua hyrja në aeroport

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 13:10
Greva punëtorëve të aeroportit

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” edhe sot kanë mbajtur grevën dy orëshe ashtu siç e kanë planifikuar.

Por, kjo grevë e cila ka nisur qysh dje ua ka rrezikuar vendin e punës 9 punëtorëve të cilët menaxhmenti i Aeroportit ua  ka ndaluar hyrjen në vendin e punës, pasi që nuk kanë pranuar të punojnë gjatë kohës kur është mbajtur greva e djeshme një orëshe.

Në anën tjetër menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës hedh akuza se grevistët nuk po respektojnë rregullat për greva dhe po e pengojnë operimin e fluturimeve.

Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe benefite të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.

Kryetari i Sindikatës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi tha se greva e sotme dy orëshe ka shkuar ashtu siç është planifikuar dhe se punëtorët janë të vendosur që të vazhdojnë me greva deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Sipas tij për këto dy orë punë asnjë fluturim nuk është realizuar, dhe se kjo ka shkaktuar tollovi.

Latifi tha se për shkak të grevës së djeshme 9 punëtorë të cilit nuk kanë pranuar që për një orë të punojnë janë larguar nga vendi i punës.

Latifi:  Për shkak se dje disa grevistë nuk kanë pranuar të dalin në punë janë larguar nga puna nëntë prej tyre

“Menaxhmenti qysh sot ka ndërmarr masa radikale dhe ka ndëshkuar punëtorët grevistë duke i përjashtuar nga puna, kjo është gjëra më e palejuar që ka mundur ta bëjë menaxhmenti...Janë nëntë punëtor për momentin që iu ka ndalua hyrja në aeroport pse nuk kanë dashur dje të punojnë...Si ka fillua prapë me atë mentalitet është do të largoj nga puna, mirëpo ka me na largua komplet 500 punëtorëve sepse jemi të vendosur në kërkesat tona”, tha Latifi.

Madje kryesindikalisti tha se dje janë takuar me menaxhmentin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës prej të cilëve kanë marr përgjigje se për kërkesat ligjore që po kërkojnë nuk mund të realizohen ato pasi që për konsorciumin LIMAK ligjet e Kosovës nuk janë të detyrueshme.

Latifi: LIMAK nuk mund t’i realizojë kërkesat ligjore të punëtorëve pasi që nuk ka detyrime ndaj atyre ligjeve

“Ata nuk kanë marr guximin dhe të vendosin asgjë dhe përgjigja e tyre ka qenë Halduni drejtori gjeneral na ka thënë se nëse kanë ndonjë pakënaqësitë punëtorët me orarin e punës ose me vajtje ardhjen e autobusit neve çdo kërkesë për këto të dyja ua plotësojmë si të doni ua plotësojmë orarin edhe autobusin, ndërsa çaj, ujë e sheqer kanë boll por për kërkesat ligjore po citoj çka ka thënë Halduni kam angazhuar jurist nga e gjithë bota dhe kjo e drejtë nuk u takon punëtorëve sepse në ato ligje ne nuk jemi të detyruar dhe nuk jemi nënshkrues të atyre ligjeve”, tha ai.

Nënkryetari i Sindikatës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Hamëz Kryeziu, ka deklaruar se gjatë periudhës sa është mbajtur dje greva një orëshe 300 valixhe kanë hyrë pa i kaluar procedurat e kontrollit, kështu sipas tij është rrezikuar edhe siguria e pasagjerëve.

Kryeziu tha se atij bashkërisht me disa kolegë të tij iu është ndaluar hyrja në vendin e punës.

Kryeziu: Gjatë grevës së djeshme mbi 300 valixhe kanë kaluar pa iu nënshtruar procedurave të kontrollit

“Kanë futur valixhe në të zezën që është cenuar siguria  e udhëtarëve është cenuar fluturimi që ka mundur të hyj gjithçka aty , 300 valixhe kanë hyrë në të zezën...Kanë hyrë pa u skanuar pa iu nënshtrua procedurave të kontrollit, kjo është  një shkelje e rëndë ne ia dhamë edhe ministrisë së Punëve të Brendshme ...Kanë futur edhe punëtor që nuk janë të licencuar dhe nuk kanë të drejtë me punua dhe me krye aktivitetin brenda në Aeroport sepse ne jemi të licencuar. Këta janë duke bërë presione të jashtëzakonshme tek punëtorët tu futur punëtor prej rrugëve që është absolutisht e  ndaluar . Edhe ne grevat nuk do i ndalim përderisa të realizohen kërkesat tona...Personalisht mua dhe edhe disa shokëve 10 vetë jemi që na e kanë ndaluar hyrjen, ne pa kurrfarë të drejte vetëm pse shprehim pakënaqësitë”, tha Kryeziu.

Në anën tjetër zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara ka deklaruar se nëntë grevist janë subjekt i proceseve ligjore për shkak të shkeljeve ligjore që kanë bërë dje gjatë grevës.

Sipas saj edhe vetë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit, Bashkim Latifi gjatë takimit që dje kanë zhvilluar bashkarisht  është pajtuar që të merren masa disiplinore në rast se shkaktohen pengesa në  funksionimin normal të fluturimeve.

Gara: Kjo grevë nuk ka qenë sipas kornizave ligjore, nga grevistët janë kërcënuar punëtorët që kanë dashur të punojnë

“Mund ta quajmë lirisht se nuk ka qenë grevë në korniza ligjore, meqenëse ka pasur kërcënime dhe pengesa në kryejnë e detyrave nga punëtorët të cilët nuk kanë qenë pjesë të grevës, prandaj ne do të marrim masa veç e veç për secilin punonjës i cili ka penguar operimin normal të fluturimeve...Nëntë persona janë subjekt i proceseve ligjore meqenëse dje kanë penguar operimin normal të fluturimeve,...Ne dje iu kemi dhënë mundësinë atyre jemi takuar me ta, po ashtu edhe kryetari i Sindikatës na ka bërë me dije dhe na ka premtuar se nuk do të ketë pengesë të punonjësve të cilët dëshirojnë të punojnë, dhe po ashtu ka kërkuar nga ne se në rastet të tilla ne lirisht mund të marrim masa disiplinore”, tha Gara.

Grevën e punonjësve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës” Adem Jashari”  e kanë përkrahur edhe Dega e Komunikacionit në Lidhje, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës të cilët kanë kërkuar që përmes dialogut sa më parë të gjendet zgjidhje për kërkesat e këtyre punëtorëve.

Kryetari i Degës së Komunikacionit në Lidhje, Alush Sejdiu i cili tha se greva është duke shkuar sipas të gjitha kornizave ligjore, dhe se kërkesat e punëtorëve të Aeroportit janë legjitime.

Sipas tij shkeljet ligjore në të cilat po akuzohen grevistë nga menaxhmenti janë duke u bërë nga vetë menaxhmenti.

Sejdiu: Qëllimisht po bëhen disa veprime, dyshime kemi tek menaxhmenti

“Ne jemi duke i përcjell hapat e kërkesave të punëtorëve të cilat janë të ligjshme dhe përmes aktiviteteve legale siç është edhe greva. Kemi disa raste të cilat qëllimisht bëhen, ne dyshimin e kemi prej menaxhmentit ku kemi tek shiritat, tek bartja e bagazheve janë vendosur njerëz të pa licencuar, njerëz të cilët mund ta rrezikojnë sigurinë dhe ne nuk marrim përgjegjësi për ato çështje”, deklaroi Sejdiu.

Në anën tjetër Inspektorët e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se gjatë kohës së grevës kanë vëzhguar për së afërmi vijimin e operimeve në pajtim me rregullat dhe standardet e zbatueshme për siguri të operimeve dhe u shprehën se nuk kanë vërejtur ndonjë parregullsi.

Ndryshe punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” edhe nesër do e vazhdojnë grevën nga ora 08:00 deri në ora 14:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat