Shqetësues edhe migrimi nga fshati në qytet

Kosova

Shqetësues edhe migrimi nga fshati në qytet

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 12:53
Pamje nga Prishtina

Krahas emigrimit të qytetarëve në drejtim të shteteve të ndryshme, dukuri mjaft shqetësuese është edhe migrimi nga fshati në qytet.

Shumë fshatra në komuna të ndryshme të vendit tashmë pothuajse janë boshatisur. Sipas demografit Rifat Blaku, zhvendosja nga fshati në qytet po ndodh në mungesë të perspektivës në viset rurale, ndërkohë që qytetet nuk janë të përgatitura për mbipopullim.

Ashtu sikur sot, edhe në të kaluarën kishte më shumë krerë bagëtish se sa njerëz në Izhanc të Shtërpcës. Në fshatin malor që dikur kishte dhjetëra shtëpi e tash janë vetëm 7 të tilla të banueshme, sot është vetëm një kope delesh.

Përveç dhenve, dikur kishte edhe buallica në vendlindjen e Zejn Vladit. 80 vjeçari, që po i qëndron besnik Izhancit, rrëfen për Radio Kosovën për jetën që bëhej dikur në fshatin e tij.

“Na kemi qenë 21 anëtarë. Nuk mbetke asnjë pëllëmbë toke e pa  punuar, se mbajtshmi kafshë atëherë. I kam pasur 13 frymë lopë. Tash s’kam asnjë hiq. Veç një komshi i ka do dhenë. Se, ja, tash, kanë dalë thera e çuba, se njerëzit kanë ikë, do kanë shkuar në Gaçkë, do në Greme, do andej – do këndej”, s’ka ma”, tha ai.

Zejnë Vladi, që ka të përfunduara tetëvjeçaren, kujton se kur ishte në klasë të parë, shkolla e fshatit kishte 30 nxënës.

Bashkëshortja e tij, Hanëmshahja, ndërkaq tregon se sa nxënës janë tash në fshatin që dikur kishte gjallëri të madhe.

“Atëherë ka pasur nxënës shumë. 14 bëheshin te shtëpia ime ku u mbledhshin fëmijë tri shtëpie. Bile shumë herë iu thosha: unë shkollë nuk kam, po mos u vononi e shkoni në shkollë. Ka pasur nxënës plot, a tash kanë mbetur vetëm 3. Deri tash kanë qenë 7, po tash kanë mbetur vetëm 3, se kanë ikur. Kanë ikur për shkak se rruga e keqe, prej skamjes, se prej së miri nuk ik askush prej vendlindjes së vet”, tha ajo.

Ndryshe nga Izhanci, Burrniku i Ferizajt është boshatisur i tëri, thotë 77 vjeçarja për fshatin e saj të vajzërisë.

Nga ana e tij, profesori Rifat Blaku thotë se qytetet nuk janë të përgatitura për mbipopullim, andaj institucionet duhet të trajtojnë seriozisht migrimin.

“Kosova po përjeton çaste tepër të rënda me këto lëvizje të pa kontrolluara nga fshati në qytet. Kemi qytete të pa përgatitura për këtë, dhe ndërkohë do të kemi probleme të reja edhe për pranimin dhe integrimin e tyre të suksesshëm në qytet.”

Sipas profesor Blakut, mungesa e investimeve të duhura në fshatra, punësimi, arsimimi e shëndetësia më e mirë janë arsyet pse njerëzit po lanë fshatrat për të jetuar në qytete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat