Komuna zvicerane Raperswil-Jona dhe ajo e Skenderajt me mundësi bashkëpunimi

Kosova

Komuna zvicerane Raperswil-Jona dhe ajo e Skenderajt me mundësi bashkëpunimi

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 15:09
Bekim Jashari dhe Martin Stockling

Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Raperswil-Jona nga Zvicra Martin Stockling, me c'rast janë dakorduar për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit në mes dy komunave.

Pas takimit që kanë pasur në Komunën e Skenderajt, kryetari Bekim Jashari u shpreh se kanë shikuar mundësitë e bashkëpunimit mes dy komunave.

Kreu i Skenderajt falënderoi kryetarin e komunës së Raperswil-Jona për vizitën, si dhe për ndihmën që populli zviceran i ka bërë ndër vite Kosovës.

Jashari: Falënderoj popullin zviceran për atë që ka bërë në Kosovë

"Sot ka ardhur në vizitë tek ne dhe jam shumë i kënaqur pas bisedave që patëm për mundësi të bashkëpunimit në të ardhmen si dy komuna. Unë dua ta falënderoj hapur përmes kryetarit të Rapersëil-Jona gjithë popullin zviceran, Qeverinë zvicerane për ndihmën e pakursyeshme, korrektësinë e shtetit zviceran që e ka bërë edhe para luftës edhe gjatë luftës, po edhe pas luftës në zhvillim të vendit tonë. Po ashtu, dua t'iu falënderoj edhe shoqatën "ProKosova" të cilët janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme duke u munduar që t'i sjellin investime vendit tonë Kosovës", tha Jashari.     

Ndërsa kryetari i Komunës së Raperswil-Jona, Martin Stockling, tha se po e ndjen dëshirën që qytetarët dhe udhëheqësit e Skenderajt e kanë për ta zhvilluar edhe më shumë këtë komunë.

Stockling: Këtu po e shoh dëshirën për të ecur përpara

"Po ndjehem shumë i nderuar këtu dhe jam shumë i gëzuar që e kemi pasur mundësinë përmes një qyteti në qytetin tjetër ta krijojmë një bashkëpunim kaq të mirë. Pak më herët biseduam me kryetarin që gjëja kryesore është që hap pas hapi të ecim përpara, por kryesorja është çka unë po ndjej këtu është se po e shoh dëshirën që të ecim përpara, po e shoh dëshirën që ta ndërtojmë vendin këtu. Jam shumë i fascinuar edhe pse kam ardhur vetëm gjysmë dite këtu e kam vërejtur krenarinë e njerëzve këtu që së bashku ta ndërtojmë vendin. Jam shumë i bindur që bazën që e ka ndërtuar deri tash është një bazë shumë e fortë dhe e mirë për ndërtimin e shtetit. Si kryetar i qytetit Raperswil-Jona e kam kënaqësinë që t'i ndihmojë qytetarëve të Skenderajt që të zhvillohet bashkërisht që të bëjmë diçka që të zhvillohet", u shpreh ai.

Ai u shpreh se është i gëzuar që përveç bashkëpunimit që kanë krijuar si dy kryetar të Komunave kanë krijuar edhe një shoqëri që do të vazhdohet edhe në të ardhmen.

Jashari dhe Stockling më pas kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.

Ata kanë vizituar edhe kullën e Jasharajve si dhe muzeun që ndodhet në këtë kompleks. Po ashtu, gjatë ditës kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari dhe kryetari i Komunës së Raperswil-Jona nga Zvicra Martin Stockling, kanë vizituar disa biznese në Komunën e Skenderajt.

Ndalesën e parë e kanë bërë në fabrikën e prodhimeve të qumështit "Drena", pastaj fabrikën e miellit "Sillosi", fabrikën e tjegullave në Skenderaj dhe kompaninë e këpucëve "Muli shoes".

Po ashtu, kanë vizituar edhe qendrën e Zjarrfikësve dhe shkollën profesionale në Skenderaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat