Bytyqi kërkon zbatimin e vendimit për rritjen e numrit të studentëve të rinj në Mjekësi

Kosova

Bytyqi kërkon zbatimin e vendimit për rritjen e numrit të studentëve të rinj në Mjekësi

Më: 28 gusht 2019 Në ora: 12:12
Pamje nga takimi

Ministri në dorëheqje i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti në takim anëtarin e Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, prorektorët Hysen Bytyqi dhe Merita Koçnaj- Berisha, si dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka.

Gjatë këtij takimi u bisedua lidhur me situatën e krijuar për regjistrimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin e ri akademik 2019/2020.

Ministri Bytyqi tha se UP, përkatësisht Fakulteti i Mjekësisë, duhet që sa më parë të implementojnë vendimin e MAShT-it lidhur me rritjen e numrit të studentëve të rinj në dy drejtime të këtij fakulteti.

Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, vendimi për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, përkatësisht drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri, është marrë në bazë të kërkesës së UP-së.

Sipas ministrit Bytyqi, një vendim i tillë është marrë në bazë të kompetencave ligjore që ka Ministria, por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e konsideruar si politikë arsimore me interes nacional.

Bytyqi kërkoi që sa më parë të fillojë së zbatuari vendimi, ndërsa përfaqësuesit e UP-së dhe FM-së u shprehën të gatshëm të respektojnë vendimin e MAShT siç është e paraparë ne vendim, ka njoftuar MASHT. /KosovaPress/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat