BIK shkarkon nga puna imamin Drilon Gashi

Kosova

BIK shkarkon nga puna imamin Drilon Gashi

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 16:39
Drilon Gashi

Bashkësia Islame e Kosovës, ka shkarkuar nga puna imamin e xhamisë Nur në Vitomericë të Pejës, Drilon Gashin.   

Kjo është bërë e ditur nga vetë imami.

Gashi përmes një postimi në Facebook ka thënë se BIK e ka shkarkuar atë me arsyetimin e se ka shkelur librin e shenjtë Kuranin dhe traditën profetike.

Ai ka theksuar se nuk është i zhgënjyer pse po i mbyllet dera e xhamisë, por që siç ka shkruar ai po i dhemb zemra për sistemin e instaluar brenda institucionit më të madh fetar.

Gashi, ishte suspenduar edhe më herët nga BIK-u, për shkak të pikëpamjeve të tij.

Shkrimi i plotë:

“Ringjallja e inkuizicionit nga udhëheqësja e sotme e Bashkësisë Islame

Të nderuar miq

Ju njoftoj që sot e mora këtë vendim nga kryesia e Bashkësisë Islame, përmes të cilit më shkëputet kontrata e punës dhe shkarkohem përfundimisht nga detyra e imamit në Xhaminë Nur në Vitomericë të Pejës.
Arsyetimi i tyre çuditërisht thotë se përmes deklaratave të mia paskam shkelur Kuranin dhe Traditën profetike!

Ndërsa unë deklaroj që çdo herë jam munduar ta pasoj vetëm argumentin, të vërtetën dhe ti qëndroj besnik rrugës së drejtë dhe Kuranit.

Sa u përket këtyre akuzave, unë do t’i elaboroj ato edhe një herë me gjerësisht dhe në mënyrë argumentuese.

Mirëpo, ajo që dua të theksoj është që dobësia themelore e kësaj pjese të lidershipit të tanishëm të Bashkësisë dhe grupeve tjera islamike në përgjithësi, është mungesa e të menduarit racional. Nëse dëshiron të punosh me ta, ata nuk do t’ju lejojnë të mendoni në mënyrë kritike e as të dialogoni, me pretekstin se po kundërshtoni parimet e dëgjimit dhe bindjes. Ky parim ua lehtëson atyre të eliminojnë çdo mendje kritike të ndonjë prej anëtarëve të tyre, dhe ata që rezistojnë përjashtohen!

Nuk jam i zhgënjyer pse ma mbyllën derën e Xhamisë, më hodhën në rrugë dhe mbeta i papunë, por më dhemb zemra për këtë sistem të instaluar brenda institucionit më të madh fetar në vend, i cili në këtë mënyrë, katërcipërisht po bie nën ndikimin e ideologjive dhe doktrinave fetare politike të jashtme.

Kontributi im nuk do të ndalet asnjëherë.
Hulumtimi dhe gjurmimi drejt të së vërtetës më mban gjallë, më bën të lirë, më jep jetë dhe shpresë.

Zotit i ankohem dhe tek Ai mbështetem”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat