Dita e katërt që po digjen malet në kufi me Shqipërinë, asnjë reagim prej Shtetit

Kosova

Dita e katërt që po digjen malet në kufi me Shqipërinë, asnjë reagim prej Shtetit

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 14:05
Ilustrim

Bjeshkët e Rekës së Keqe që gjenden në afërsi të kufirit Kosovë-Shqipëri, përkatësisht në fshatin Popoc, ka katër ditë që janë përfshirë nga zjarri. Zjarrfikësit nga kjo komunë thonë se nuk po arrijnë që ta shuajnë zjarrin shkaku i erës, terrenit të papërshtatshëm dhe mungesës së mjeteve.

Komandanti i Zjarrfikësve në Gjakovë, Xhavit Jashari i ka thënë Gazetës Express se zjarri është në përmasa shumë të mëdha dhe se as pas katër ditësh nuk kanë arritur që ta shuajnë.

Jashari thotë se atyre po iu duhet që të ecin mbi 11 km çdo ditë për të arritur deri tek vatra e zjarrit, por që në mungesë të mjeteve dhe ujit nuk po mund ta shuajnë zjarrin.

“Po është e vërtetë. Tash për tash jam në momentin ku është përfshi ky zjarr, pra në fshatin Popoc. Vendi quhet Vollka, e vendi Popoc. Zjarri është në përmasa shumë të mëdha. Është ka punon edhe Zoti kundër neve, është ka fryn jashtëzakonisht shumë sot në Gjakovë. Zjarri ka fillu para 4 ditësh. Është vend shumë kodrinor-malor, e po duhet 11 km me ecë në këmbë veç për me arritë te vatra e zjarrit, po kur nuk po ke ujë edhe mjete të tjera që duhen për me shu zjarrin është e pamundshme që të intervenojmë me fikë shpejt”, tregon ai,

I pari i zjarrfikësve në këtë komunë thotë se aktualisht në bjeshkë gjenden rreth 40 zjarrfikës duke u përpjekur që të ndalin zjarrin, por se era është duke i penguar. Thotë se zjarri mund të shuhet vetëm nëse intervenohet me mjete ajrore.

“Për me u shu ky zjarr ma shpejt veç duhet me intervenenu nëpërmjet forcave ajrore. Për momentin janë 35 zjarrfikës tu intervenu e do të vazhdojmë deri në mbrëmje.  Kanë ardhë edhe prej qyteteve me na ndihmu për me shu zjarrin, por është shumë terren i papërshtatshëm meqenës nuk ka ndonjë rrugë alternative që me pas mundësi me iu afru vatrës së zjarrit. Duhet me ec tri orë në këmbë për me u ofru te vatra e zjarrit”, ka thënë Jashari.

Të kontaktuar kanë qenë edhe me Policinë e Rajonit të Gjakovës dhe zyrtarë të kësaj komune, por të njejtit kanë qenë të paqasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat