27 zyrtarë policorë të arrestuar nga IPK-ja në gjashtëmujorin e këtij viti

Kosova

27 zyrtarë policorë të arrestuar nga IPK-ja në gjashtëmujorin e këtij viti

Më: 1 shtator 2019 Në ora: 10:26
Ilustrim

27 zyrtarë policorë janë arrestuar vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 40 të tjerë janë suspenduar, ndërsa për gjashtë të tjerë është parë i domosdoshëm transferimi. Kështu thonë zyrtarë nga Inspektorati Policor i Kosovës, ku sipas tyre ka pasur shtim të numrit të zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij viti.

Gjatë muajit gusht, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar kallëzim penal nga Inspektorati Policor ndaj 22 zyrtarëve të policisë së vendit, për rastin e njohur si “Gylenistët”. Ani pse në këtë rast ka pasur të përfshirë edhe zyrtarë të institucioneve të tjera, Kushtrim Hodaj, udhëheqës i Departamentit për Çështje Ligjore, Bashkëpunim dhe Informim në IPK, thotë se si IPK kanë autoritet dhe autorizim ligjor që ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë e policisë.

Hodaj: Kemi autoritet që të hetojmë vetëm pjesën e zyrtarëve policorë 

“Ne si IPK kemi autoritet, kemi autorizim ligjor që të hetojmë vetëm pjesën e zyrtarëve policorë. Ky rast ka pas përfshirje më të madhe të zyrtarëve tjerë dhe të institucioneve tjera, dhe për atë është përgjegjës prokuroria që të veprojë më tutje, ose të autorizojë institucionet tjera për të hetuar edhe pjesë të tjera. Ne kemi përfunduar vetëm pjesën që ka të bëjë me përgjegjësinë e policisë, se është njëra prej hallkave që ka pasur përgjegjësi në deportimin e gylenistëve”, thotë mes tjerash Hodaj.

Në lidhje me këtë Hodaj thotë se aktualisht janë duke trajtuar 154 raste, të regjistruara si raste penale gjatë këtij viti.

Hodaj: Ne jemi duke i trajtuar 154 raste

“Aktualisht ne jemi duke i trajtuar 154 raste, të regjistruara si raste me penale gjatë këtij viti, deri në momentin që po flasim kemi 154 raste penale dhe kemi pranuar 879 ankesa të qytetarëve. Këto 154 raste nuk është që u jepet epilogu përfundimtar në IPK, mirëpo ne e përfundojmë hetimin final edhe e dorëzojmë në Prokurori, me kallëzime penale apo raporte të veçanta, varësisht prej të gjeturave të hetimeve”, tregon Hodaj.

Sipas tij, gjatë gjashtëmujorit të parë, janë regjistruar 637 ankesa nga qytetarët për zyrtarët policorë, e që shumica prej tyre janë për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës së tyre zyrtare, e po ashtu edhe për shkaktim të lëndimeve trupore gjatë arrestimit.

Hodaj: Kemi pranuar 637 ankesa 

“Gjatë gjashtëmujorit të parë janë pranuar 637 ankesa, të cilat janë trajtuar nga Departamenti për Menaxhim të Ankesave, por natyrisht këto janë analizuar dhe një numër prej këtyre ankesave është dërguar në Departamentin e Hetimeve, për hetime penale dhe një numër i tyre është dërguar Drejtorinë e Standardeve Personale të Policisë, për hetim eventual disiplinor, për shkak se në bazë të kualifikimeve, vendoset edhe kush është kompetent, për të trajtuar rastin”, shton Hodaj.

Hodaj për KosovaPress thotë se  ka pasur rritje të numrit të policëve të arrestuar, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, e që kryesisht janë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke përmendur kështu edhe arrestimin e policëve në rastin e kontrabandës në veri të Mitrovicës.

Hodaj: Janë arrestuar 27 zyrtarë policorë gjatë këtij gjashtëmujori 

“Gjatë këtyre gjashtë muajve diku 65 raste kanë qenë të regjistruara me numër penal, për të cilat janë duke u zhvilluar hetimet, me prokurorët kompetentë dhe varësisht prej kualifikimit të rastit dhe përgjegjësisë, dhe prokurorive që funksionojnë në Kosovë. Si rezultat i këtyre hetimeve janë arrestuar 27 zyrtarë policorë, vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë edhe tre qytetarë që kanë qenë në bashkëpunim me zyrtarë policorë. Janë suspenduar 40 zyrtarë policorë, dhe janë transferuar gjashtë zyrtarë policorë nga vendet e tyre të punës, për shkak se është parë i domosdoshëm transferimi. Gjithashtu janë suspenduar edhe dy nëpunës civil të Policisë së Kosovës”, thotë ai.

Ndryshe, gjatë vitit 2018 sipas IPK-së janë pranuar 1419 ankesa dhe informata, janë arrestuar 12 persona, 50 janë suspenduar, ndërkaq 10 janë transferuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat