Limaj kërkon mbështetjen e qytetarëve të Kaçanikut

Kosova

Limaj kërkon mbështetjen e qytetarëve të Kaçanikut

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 19:39
Fatmir Limaj

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj u ka bërë thirrje kandidatëve për kryeministër nga partitë e tjera që të përballen në një debat për t'i treguar se cilat janë programet e tyre.

Limaj nga takimi me strukturat e Nismës në Kaçanik tha se gara tani është duke u zhvilluar në mes të kandidatëve, e për këtë ai ka thënë se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së shtetit. "Ky mobilizim i yni duhet të vazhdojë në çdo familje, lagje, që ky koncept të fitoj. Nuk vendoset fitorja nga zyrat, e nga studiot televizive ato i fiton populli. Deri më tani gara në Kosovë ka qenë mes partive politike, ndërsa në këto zgjedhje gara u kthye nga kandidatët. Nëse është kështu, atëherë ajo që unë e kam thënë është se po iu them kandidatëve eja të dalin para popullit dhe t’i tregojmë qytetarëve çka iu ofroni, hajde dalim në debat. Koha më sha ka marrë fund. Ata të cilët me arrogancë thonë se drejtojmë parti të mëdha, hajde dalim atje se kush e meriton me e udhëheqë Kosovën. Unë jam i gatshëm me e shpalos programin tim, t’iu përgjigjem pyetjeve. Hajde flasim çka kena me bë për dialogun, si i merrni vendimet. Hajde ia mundësojmë popullit që ta sheh se kujt duhet me ia dhënë votën. Si e udhëheqë dialogun me Serbinë, si e zhvillon ekonominë. Nuk mundesh me e drejtua vendit duke e sha tjetrin. Ta kthejmë këtë garë në mes 5 kandidatëve dhe ai që fiton unë kam me ia zgjat dorën fituesit", tha Limaj.

Ai tha se është i gatshëm të ballafaqohet me secilin veç e veç edhe me të gjithë së bashku, ku ai tha se në këtë përballje do të dilte faqebardhë. Limaj shtoi se ka refuzuar postin e kryeministrit disa herë, pasi që nuk e kishte ndjerë vetën të gatshme, por që tash ai tha se është i gatshëm për ta drejtuar vendin.

"Kosova ka nevojë për njerëz që janë sprovuar, kam qenë pjesë e çdo procesi të Kosovës", tha ai dhe ka kërkuar nga qytetarët e Kaçanikut që ta mbështesin dhe të votojnë dy kandidatët e saj në këtë komunë.

Sekretari i Nismës Bilall Sherifi, tha se duhet të punojnë të gjithë për ta bërë kryeministër Fatmir Limajn, e kjo sipas tij do të bënte që pastaj të punohej për shtetin. "Në Kaçanik po qëndrojmë shumë mirë dhe nëse qëndrojmë mirë këtu atëherë do të fitojmë. Mos ta shohim këtë tubim si diçka që po e përfundojmë, në fakt po e fitojmë betejën për një kryeministër që i bënë ballë sfidave. Unë jam i bindur se Nisma do të dal fituese në këto zgjedhje. Pa Nismës, pa koalicionin nuk ka qeveri në Kosovë, për këtë të jeni të bindur", tha ai.

Ai tha se nuk duhet të provojnë njerëz të rinj, por duhet t'u besohet atyre që janë sprovuar me të gjitha betejat e Kosovës.

Kryetari i degës së Nismës në Kaçanik, Agim Çaka tha se koalicioni Nisma-AKR-PD e ka kandidatin më të duhur për kryeministër. "Ne si degë asnjëherë nuk kemi dështuar në planet tona. Parti që nga fillimi e ka ditur se çka po dëshiron, parti që drejtohet nga një njëri që asnjëherë nuk ka dështuar në planet e tij, tashmë diskutohet që kjo parti të jetë përcaktuese pas zgjedhjeve të 6 tetorit", tha ai.

Ai tha se duhet të punojnë të gjithë shumë në mënyrë që të fitojë Nisma, e që pastaj ai tha se do të fitojë edhe shteti. Kandidatë për deputet nga koalicioni Nisma-AKR-PD nga Kaçaniku janë Agim Çaka dhe Hizri Vishi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat