Kastrati: SBASHK-u shkollën e sheh si objekt, kurse arsimin thjesht si vend pune – pa e vrarë mendjen për cilësinë, dijen e zhvillimin

Kosova

Kastrati: SBASHK-u shkollën e sheh si objekt, kurse arsimin thjesht si vend pune – pa e vrarë mendjen për cilësinë, dijen e zhvillimin

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 16:16
Qëndron Kastrati

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas protestës që Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës, ka bërë sot në Kamenicë për të kundërshtuar mbylljen e shkollave në këtë komunë.

Kastrati në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se në kushte normale do të prisnin që Sindikata të interesohej për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, por që sipas tij vetëm për këtë gjë nuk duan të flasin as të dëgjojnë.

Sipas tij, SBAShK-u është vënë në mbrojtje të interesave klienteliste që e kanë sjellur arsimin në këtë gjendje që siç ka shkruar Kasrati, SBASHK-u shkollën e sheh si objekt, kurse arsimin thjesht si vend pune, pa e vrarë mendjen për cilësinë, dijen e zhvillimin.

Ndryshe SBASHK-u nëpërmjet një reagimi, ka thënë se kanë pritur dialog e mirëkuptim, ndërsa shton se kryetari i Komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati do të ndjejë unitetin e SBASHK-ut.

Postimi i plotë i Kastratit:

SBASHK protestoi sot në Kamenicë. Ky nuk duhet të jetë lajmi i vetëm. Duhet shpërndarë fjala për t’i sqaruar njerëzit se çfarë po mbron realisht SBAShK-u.

Në kushte normale do të prisnim që Sindikata të interesohej për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Vetëm për këtë gjë nuk duan të flasin as të dëgjojnë.

SBAShK-u po flet për mbyllje shkollash, për ta përdorur një parrullë kundër një shpjegimi. Riorganizimi i shkollave mundëson standardin e cilësisë sepse i nxjerrë nxënësit nga vetmia, duke mundësuar shoqërizim, punë në grupe e autonomi për ta. SBAShK-ut nuk po i intereson që në më shumë se gjysmën e shkollave të komunës tonë klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. SBAShK nuk po tregon që oferta jonë për mësimdhënësit i tejkalon edhe kërkesat që vetë sindikata i ka pasur dikur. SBAShK nuk do t’ia dijë që 40 përqind e shkollave nuk kanë mjedis higjienik; 8 prej tyre nuk kanë toalete funksionale; gjysma e shkollave nuk kanë kabinete të informatikës; vetëm 3 shkolla kanë kabinete profesionale; 24 nga 29 shkollat nuk kanë salla sportive të brendshme; 10 shkolla nuk kanë hapësira rekreative; 8 shkolla nuk kanë qasje të drejtëpërdrejtë në rrugë; dhe asnjë shkollë nuk ka qasje për nxënësit me nevoja të veçanta përveç shkollës në Strezoc, ku kemi një improvizim të përkohshëm. Ndërkohë, Komuna e Kamenicës i ka vetëm 30 mijë euro buxhet për investime kapitale në arsim. Jam kurreshtar për të mësuar nga z. Rrahman Jasharaj se si mund të mbahen 29 objektet shkollore që janë në gjendje të mjerueshme me këtë buxhet. Unë i kam parë këto kushte, i kam pare edhe mësuesit me 5 nxënës e 2 ditarë, njërin për klasën e parë, tjetrin për të katërten.

SBAShK-u është vënë në mbrojtje të interesave klienteliste që e kanë sjellur arsimin në këtë gjendje. Edhe si mënyrë edhe si qëndrim ai është në linjën e pushtetit të deritashëm. Shkollën e sheh si objekt, kurse arsimin thjesht si vend pune, pa e vrarë mendjen për cilësinë, dijen e zhvillimin.

Ligjet në Kosovë tregojnë qartë fushëveprimin dhe përgjegjësinë e secilit institucion të arsimit. Mbi mbarëvajtjen e procesit mësimor, apo themelimin e institucioneve arsimore parauniversitare është përgjegjëse komuna. Mjafton të konsultohet Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, Ligji mbi Arsimin në Komuna dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar. Së fundi KMDLNJ, por edhe insitucionet përgjegjëse ia kanë bërë të qartë SBASHK-ut se ndërhyrja e tyre ka motive politike, ka karakter shantzhues dhe është e kundërligjshme. KMDLNJ tregoi se çështja në fjalë është përgjegjësi eksluzive e Komunës së Kamenicës duke akuzuar SBAShK-un për keqpërdorim të mësimdhënësve dhe nxënësve. Por, Sindikata jonë ka marrë krye për të vendosur gjithçka. Sërish, ky nuk është problemi kryesor. Principata SBAShK kërkon sovranitet për ta mbrojtur status-quon. Kamenica nuk do të jetë territori i hyqmit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat