Qendron Kastrati sqaron edhe njëherë vendimin për mbylljen e disa shkollave në Kamenicë - Bota Sot
Qendron Kastrati sqaron edhe njëherë vendimin për mbylljen e disa shkollave në Kamenicë

Kosova

Qendron Kastrati sqaron edhe njëherë vendimin për mbylljen e disa shkollave në Kamenicë

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 16:40
Qendron Kastrati

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas protestës së Sindikatës së Arsimit në këtë komunë për shkak të reformave që po bëhen në arsim.

Komuna e Kamenicës ka marrë vendim që të mbyllë shkollat e fshatrave me shumë pak nxënës, e ata t’i bashkojë me nxënësit e shkollave të tjera të qytetit.

Kjo ka nxitur reagime të disa qytetarëve, e sot për vendimin e komunës ka protestuar SBASHK.

Kastrati përmes një postimi në Facebook i ka sqaruar SBASHK’ut edhe njëherë pse e ka parë të nevojshme të mbyllë shkollat që, sipas tij, janë pothuajse jofunksionale dhe ku vijojnë mësim më pak se pesë nxënës në një klasë.

Shkrimi i plotë:

SBASHK protestoi sot në Kamenicë. Ky nuk duhet të jetë lajmi i vetëm. Duhet shpërndarë fjala për t’i sqaruar njerëzit se çfarë po mbron realisht SBAShK-u.

Në kushte normale do të prisnim që Sindikata të interesohej për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Vetëm për këtë gjë nuk duan të flasin as të dëgjojnë.

SBAShK-u po flet për mbyllje shkollash, për ta përdorur një parrullë kundër një shpjegimi. Riorganizimi i shkollave mundëson standardin e cilësisë sepse i nxjerrë nxënësit nga vetmia, duke mundësuar shoqërizim, punë në grupe e autonomi për ta. SBAShK-ut nuk po i intereson që në më shumë se gjysmën e shkollave të komunës tonë klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. SBAShK nuk po tregon që oferta jonë për mësimdhënësit i tejkalon edhe kërkesat që vetë sindikata i ka pasur dikur. SBAShK nuk do t’ia dijë që 40 përqind e shkollave nuk kanë mjedis higjienik; 8 prej tyre nuk kanë toalete funksionale; gjysma e shkollave nuk kanë kabinete të informatikës; vetëm 3 shkolla kanë kabinete profesionale; 24 nga 29 shkollat nuk kanë salla sportive të brendshme; 10 shkolla nuk kanë hapësira rekreative; 8 shkolla nuk kanë qasje të drejtëpërdrejtë në rrugë; dhe asnjë shkollë nuk ka qasje për nxënësit me nevoja të veçanta përveç shkollës në Strezoc, ku kemi një improvizim të përkohshëm. Ndërkohë, Komuna e Kamenicës i ka vetëm 30 mijë euro buxhet për investime kapitale në arsim. Jam kurreshtar për të mësuar nga z. Rrahman Jasharaj se si mund të mbahen 29 objektet shkollore që janë në gjendje të mjerueshme me këtë buxhet. Unë i kam parë këto kushte, i kam pare edhe mësuesit me 5 nxënës e 2 ditarë, njërin për klasën e parë, tjetrin për të katërten.

SBAShK-u është vënë në mbrojtje të interesave klienteliste që e kanë sjellur arsimin në këtë gjendje. Edhe si mënyrë edhe si qëndrim ai është në linjën e pushtetit të deritashëm. Shkollën e sheh si objekt, kurse arsimin thjesht si vend pune, pa e vrarë mendjen për cilësinë, dijen e zhvillimin.

Ligjet në Kosovë tregojnë qartë fushëveprimin dhe përgjegjësinë e secilit institucion të arsimit. Mbi mbarëvajtjen e procesit mësimor, apo themelimin e institucioneve arsimore parauniversitare është përgjegjëse komuna. Mjafton të konsultohet Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, Ligji mbi Arsimin në Komuna dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar. Së fundi KMDLNJ, por edhe insitucionet përgjegjëse ia kanë bërë të qartë SBASHK-ut se ndërhyrja e tyre ka motive politike, ka karakter shantzhues dhe është e kundërligjshme. KMDLNJ tregoi se çështja në fjalë është përgjegjësi eksluzive e Komunës së Kamenicës duke akuzuar SBAShK-un për keqpërdorim të mësimdhënësve dhe nxënësve. Por, Sindikata jonë ka marrë krye për të vendosur gjithçka. Sërish, ky nuk është problemi kryesor. Principata SBAShK kërkon sovranitet për ta mbrojtur status-quon. Kamenica nuk do të jetë territori i hyqmit të saj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...