Shkalla e punësimit për tremujorin e dytë 2019 është 29.8 për qind

Kosova

Shkalla e punësimit për tremujorin e dytë 2019 është 29.8 për qind

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 14:25
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi sot rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë 2019, e cila ka pasur shtrirje në 449 qarqe regjistruese në Kosovë, ku janë anketuar 3.917 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave të vitit 2011.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë,  statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.9 për qind, teksa shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë të këtij viti është 29.8 për qind.

Punësimi më i lartë është te meshkujt 45.9%, ndërsa te femrat 13.7%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 51.6 %, ndërsa meshkujt në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 48.9%.

Sektorët ekonomikë që prijnë me punësim vazhdojnë të jenë tregtia me 17.9%, ndërtimtaria me 13.4%, prodhimi me 12.4%, si dhe arsimi me 9.7%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, 38.4% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 61.6% janë me kontratë të përkohshme.

Në këtë periudhë të vitit, shkalla e papunësisë është 25.3%, ku më e theksuar është te femrat me 32.7%, krahasuar me meshkujt, 22.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.1%.

Po sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore, në tremujorin e dytë 2019, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.1%, me fokus të veçantë te femrat me 79.6 %, krahasuar me meshkujt, 40.6%.

Për realizimin e AFP-së, TM2 2019, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat