SBASHK apel për liderët: Shkoni në Kamenicë dhe binduni vet me realitetin

Kosova

SBASHK apel për liderët: Shkoni në Kamenicë dhe binduni vet me realitetin

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 11:27
SBASHK

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, u ka bërë apel liderëve dhe kandidatëve për deputetë që të vizitojnë Kamenicën dhe të shikojnë për së afërmi gjendjen e shkollave në këtë komunë.

Kjo sindikatë thekson se nuk është hera e parë që kritikohet dhe etiketohet pa argumente dhe pa të drejtë.

“Ne nuk pretendojmë të marrim  mandatin e dikujt tjetër, por kemi kryer e do të kryejmë misionin tonë sindikal që të angazhohemi  e të reagojmë  duke përcjellë në opinion  dhe në takime zërin e punëtorëve të arsimit”.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të SBASHK-ut:

Ne reaguam  me javë të tëra  në takime  dhe bashkëbiseda me Kastratin dhe të tjerët  dhe jemi shprehur kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë. Kundër mbylljes janë shprehur edhe prindërit atje, por Kastrati nuk dëgjoi lutjen tonë që së paku këtë vit ta tërheq vendimin e tij  dhe të pres formimin e institucioneve të Kosovës nga vota e lirë e 6 tetorit dhe pastaj çështja të ngrihet në nivel vendi dhe  të krijohet një strategji e përbashkët. Ne kundërshtimin tonë të bazuar e shprehem edhe me protestë  para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Kamenicë, por Kastrati, i trimëruar  nga ish Ministri Bytyqi, nga Bexhet Shala i KMDLNJ-së e ndonjë individë tjetër vazhdon  me presione  e me lista sipas simpative e tekave  për teprica teknologjike, që në të vërtetë janë lista të pushimeve nga puna, vazhdon me presione ndaj drejtorëve.  Vazhdon me idenë që shkollat në fshatra të mbyllën e fëmijët nga atje të bëjnë çdo ditë dhjetëra e dhjetëra kilometra për të shkuar nga fshatrat e tyre malore në Kamenicë. Nëse realizohet kjo ide e pamatur  atëherë këta fëmijë të gjorë , që janë nga klasa e parë e tutje të lodhur nga udhëtimi i gjatë e nëpër rrugët plot kthesa  do të shkojnë të molisur në shkollë  dhe do të kthehen të stërlodhur në shtëpi  në mos i zëntë gjumi në autobus. Ju kujtoj se Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti kanë aprovuar buxhetin e këtij viti dhe janë paraparë mjete  të mjaftueshme pagash për numrin aktual të mësimdhënësve. 

Liderë të nderuar Ju që  keni marrë besimin e subjekteve politike a koalicioneve që të garoni  për kryeministër edhe ju të nderuar që po garoni për të marrë besimin e popullit  e për ta përfaqësuar zërin e tij në Parlament SBASHK-u është mësuar  me sulmet  e etiketimet pa as edhe një argument të disa individëve, që gënjejnë kur vajtojnë për fatin e arsimit në Kosovë. Juve po ju lusim shumë gjeni kohë që tani dhe shkoni në Kamenicë. Takohuni ju  lutem me popullin, me nxënësit shqiptarë dhe me ata të komunitetit  rom. Takohuni me mësimdhënësit  dhe  do të dëgjoni nga dora e parë për  situatën në Kamenicë. Mësojeni vetë të vërtetën  e pastër se dy të vërteta nuk janë.

SBASHK-u po pret nga ju dhe nga MASHT të ndërmjetësojë dhe të ofrojë zgjidhje të pranuar. Nëse kjo mungon atëherë ne do të vazhdojmë me reagimet e veprimet tona  sepse nuk mund të heshtim karshi një situate të tillë, që vërtetë është alarmante  dhe mund të keqësohet e elektrizohet edhe  më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat