Kuçi: Taksën e negociojmë në Bruksel, në ftesën e parë duhet të ulemi në tavolinë

Kosova

Kuçi: Taksën e negociojmë në Bruksel, në ftesën e parë duhet të ulemi në tavolinë

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 00:41
Hajredin Kuçi,

Numri dy i PDK-së dhe i dyti në listën e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se kjo parti ka qenë më konkretja në çështjen se si duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë.

“Kadri Veseli ua ka dhënë një dokument të shkruar partive, se si duhet të bëhet kjo punë. Ajo që është me rëndësi është që të arrihet konsensusi nacional, në dy pika. E para, jo vetëm në politikë, por edhe në autoritetet morale të shoqërisë, gazetarë e të tjerë. Dhe e dyta konsensusi kushtetues, që arrihet me së paku 80 deputetë”, ka thënë Kuçi, teksa ka shprehur kritika për ekipin e kaluar të dialogut, që e bashkëdrejtonin Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

“Pa të keq po e them, unë kam thënë se nuk do të mundet ky ekip të arrijë marrëveshjen. Një dialog që nuk e udhëheq PDK-ja dhe nuk merr pjesë LDK-ja dhe partitë e tjera, nuk mund të arrihet konsensusi”, ka thënë Kuçi, në Interaktiv të Ktv-së.

“Duhet të krijojmë një unitet brenda nesh, ta prezantojmë atë para bashkësisë ndërkombëtare dhe të kërkojmë një unitete edhe brenda faktorit ndërkombëtar. Sa herë ka pasur hendek brenda faktorit ndërkombëtar, kemi pasur probleme”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka thënë se vetë ai më herët e ka përmendur një marrëveshje të mundshme me Serbinë, të cilën e ka quajtur Traktat i Paqes.

“Ne kemi nevojë ta mbyllim çështjen me Serbinë. Nuk duhet t’i frikësohemi SHBA-së dhe BE-së. Kosova me Serbinë nuk merren vesh kurrë, edhe 100 vjet. Ne duhet të negociojmë në partneritet me SHBA-në dhe BE-në”, ka thënë Kuçi.

Kur ka folur për taksën, Kuçi ka thënë se ajo duhet të shqyrtohet në Bruksel, por se dialogu duhet të vazhdojë.

“Ftesa e parë që na vjen për bisedime duhet ta prejmë biletën dhe të ulemi në tavolinë. Taksa nuk është problemi më i madh që e kemi me Serbinë. Nëse dikush më thonë se problemi kryesor është taksa, nuk e pranoj”, ka thënë Kuçi.

“Ulemi dhe e diskutojmë heqjen taksës. Heqja e taksës negociohet në Bruksel, si pjesë e marrëveshjes së paqes, Traktat ose si të doni t a quamë, e cila pos që duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe atë të Serbisë, duhet të miratohet edhe në OKB”, ka thënë Kuçi.

Ai ka thënë se Kosova duhet ta hartojë planin e saj të marrëveshjes dhe të shkojë në Bruksel dhe ta prezantojë atë.

Duke folur se kush duhet ta drejtojë dialogun, dhe nëse atë do ta drejtojë Kadri Veseli nëse arrin që të bëhet kryeministër, Kuçi ka thënë se “Qeveria e Kosovës duhet të marrë përgjegjësitë e veta kushtetuese”.

Sipas tij, me këto përgjegjësi kushtetuese as Presidenti nuk mund të hiqet prej loje.

“Nuk duhet të kemi frikë nga kjo. Kosovën nuk mund ta dëmtojë një njeri. Në demokraci, asnjë njeri, i gjallë as i vdekur, nuk mundet ta dëmtojë një shtet”, ka thënë Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat