Si deputetë, ish-anëtarët e shoqërisë civile premtojnë më shumë mbështetje për OJQ-të

Kosova

Si deputetë, ish-anëtarët e shoqërisë civile premtojnë më shumë mbështetje për OJQ-të

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 11:17
Foto

Lëvizja FOL dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) kanë organizuar Forumin FOL Hapur me temë “Çka pret shoqëria civile nga ish-anëtarët e saj të inkuadruar në politikë”.

Me këtë rast nga ish-anëtarët e shoqërisë civile, tashmë kandidatë për deputetë thanë se do të jenë të hapur për t’i ndihmuar OJQ-të, për mënyrën e financimit dhe kthimin e besimit tek institucionet dhe partitë politike.

Megjithëkëtë u tha se inkuadrimi i ish-pjesëtarëve të shoqërisë civile në parti politike mund të konsiderohet vetëm një perceptim për demokratizim të partive politike.

Ish-pjesëtarja e shoqërisë civile, njëherësh kandidatja për deputete e koalicionit AAK-PSD, Besa Luzha teksa tregoi për angazhimin e saj politik tha se do të mundohet të krijojë një fond të pavarur për financimin e OJQ-ve.

“Gjithë bashkë jemi munduar që shoqëria civile me pas zërin që të dëgjohet. Unë do të angazhohem në këtë drejtim që me të gjendet një formulë, ndonjë mekanizëm që është jashtë institucioneve, një fond që është në mes shoqërisë civile dhe institucioneve që t’ju ndihmohet organizatave të shoqërisë civile të mbijetojnë. Vet si Besë do të bëj zyrën për takime me qytetarë një herë në javë”, tha ajo.

Kandidati i LDK-së për deputet, Driton Selmanaj duke folur për rolin e OJQ-ve në shoqëri tha se shteti duhet të jetë proaktiv, por pa e cenuar lirinë e asocimit të organizatave joqeveritare dhe tregoi angazhimin e tij në kuadër të kësaj sfere.

“Duhet bashkë që shteti të jetë proaktiv në ligjbërje, përkrahje, po duke mos prek lirinë e asocimit. Çka unë angazhohem si LDK është që dokumentet që janë nxjerr të ecin tutje dhe mos te këtë ngecje në rregullativa”, tha ai.

Ndërkaq, ish-pjesëtari i shoqërisë civile në fushën e kulturës, tani kandidat për deputet nga radhët e VV-së, Hajrullah Çeku tregoi angazhimin e tij politik, teksa u zotua në kthimin e besimit të qytetarëve në parti politike dhe institucione.

“Angazhimi im është të thyhet cikli i keqmenaxhimit dhe humbjes së besimit. Për kthimin e besimit te qytetarëve tek partitë kërkohet rregullimi i financimit të partive politike që mos të ketë obligime ndaj korporatave të mëdha. E në qeverisje mos të kthime të favoreve”, u shpreh Çeku.

Kurse nga radhët e PDK-së, kandidatja për deputete, Valdete Idrizi tha se ajo do të jetë një derë e hapur për shoqërinë civile.

“Jam mundu me i shty edhe do politika në kuadër të partive politike. Mënyra qysh kthehet besimi është edhe duke promovuar shembuj të mirë sepse ka si në nivelin lokal, ashtu edhe qendror...do të jem një derë e hapur për shoqërinë civile”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat