“Të moshuarit në Kosovë përballen me kushte jo të mira jetese”

Kosova

“Të moshuarit në Kosovë përballen me kushte jo të mira jetese”

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 12:41

Rreth 6,7 për qind e popullatës në Kosovë janë persona të moshuar dhe të njëjtit përballen me kushte jo të mira jetese e qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore. E, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në dhjetë vitet e ardhshme mbi 1 miliard e gjysmë e popullsisë në botë, do të jetë e moshuar.

Kështu u tha sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar me moton "Rrugëtimi drejt barazisë moshore".

Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së, tha se shënimi i kësaj dite këtë vit vë theksin në fuqizimin e tyre dhe parandalimin e çdo pabarazie, me të cilën përballet popullata e moshuar në Kosovë.

Ramadani: 6,7 për qind të popullsisë në Kosovë janë të moshuar

"Duke pasur parasysh trendin në rritje të numrit të të moshuarve, gjithsesi kërkohet vëmendje e shtuar ndaj nevojave dhe sfidave të veçanta, me të cilat ballafaqohen njerëzit e moshuar. Prandaj është e nevojshme  të kuptohet demografia është e rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe se dinamika e popullsisë do të formësojë sfidat kryesore të zhvillimit me të cilat bota ballafaqohet në shekullin 21. Edhe pse Kosova konsiderohet vend me popullatën më të re në Evropë, zhvillimet demografike tregojnë se trendi i moshimit është në rritje në vendin tonë. Sipas regjistrimit të fundit në vitin 2011 në Kosovë gjithsej 6,7 për qind të popullsisë janë mbi moshën 65-vjeçare”, tha ai.

Krahas kësaj, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti tha se të moshuarit po ashtu kanë qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore. Sipas tij, moshimi nuk nënkupton sëmundjen apo paaftësinë.

Hoti: Qasja e shërbimeve shëndetësore të moshuarve është e kufizuar 

"E vërteta është se të moshuarit në Kosovë ballafaqohen me kushte jo të mira jetese, marrin pensione të vogla, shtëpitë e të moshuarve nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për kujdesin. Përderisa edhe qasja në shërbimet shëndetësore dhe shërbimet tjera është e kufizuar”, tha Hoti.

Edhe shefi i OBSH-së në Kosovë, Sergy Koryak tha se numri i të moshuarve në botë është në rritje.

Koryak: Në 10 vjetët e ardhshme popullsia e moshuar do të jetë mbi 1 miliard e gjysmë

“Numri i të moshuarve është në rritje, tani sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë diku mbi 700 milionë persona mbi 60-vjeç, dhe pritet në 10 vjetët e ardhshme popullata e moshuar të jetë mbi 1 miliard e gjysmë. OBSH çështjen e të moshuarve e sheh si të drejtë humane, të drejtat themelore, njerëzore sa i përket përkujdesjes shëndetësore për të moshuarit", tha ai.

Se të moshuarit përballen me pabarazi të ndryshme, e tha edhe Hasan Berisha nga Lidhja e Pensionistëve, sipas të cilit të moshuarit në Kosovë kanë pensione të ulëta, pavarësisht kontributit paraprak.

Berisha: Të gjitha vendet kanë beneficione

“Të gjitha vendet evropiane kanë  beneficione për pensionistët në komunikacion publik, ka benefite për subvencione, për banjat, për rehabilitim. Të presim tani janë zgjedhjet afër, ndoshta Qeveria e ardhshme, do të ketë më shumë përkujdesje”, ka thënë ai.

Ndryshe, sot është dita që i kushtohet moshës së tretë, datë kjo e përcaktuar më 14 dhjetor 1990 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si Dita e respektit global për të moshuarit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat