Matoshi: Zgjidhja e problemit të ujërave të zeza në Koretin fillon nga nesër

Kosova

Matoshi: Zgjidhja e problemit të ujërave të zeza në Koretin fillon nga nesër

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 16:33
Fatmir Matoshi

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka thënë se problemi i ujërave të zeza në Koretin të Kamenicës do të fillojë të zgjidhet nesër.

Në një debat në Kamenicë me kandidatin e PDK-se dhe atë të LDK-së, Matoshi tha se qytetarët do të vendosin më 6 tetor edhe për zgjidhjen e problemeve të tilla.

Fatmir Matoshi tha se kanë bërë punë të madhe në përmirësimin e situatës sa i përket ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza, andaj sipas tij, nuk do të lejojnë të tjetërsohet puna.

Ai tha se ujërat e zeza janë prej problemeve më të mëdha në nivel të Kosovës.

Matoshi: Do ta zgjidhim problemin e ujërave të zeza në Koretin

“Ne jemi në fazën e projektit të ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza në Prishtinë, ka vonesa, buxheti ynë ka pas mjete të planifikuara brenda ministrisë 2.5 milionë të ndara për Prishtinën, duke parë që kjo nuk po ndodh, këto i kam ridestinuar dhe 900 mijë euro i kemi destinuar, kemi shpallur tenderin, kemi përfunduar procedurat nesër në ora 15.00 fillojnë punët për ta rregulluar kolektorin dhe do të përfundojnë brenda këtij viti. Na mbetet ende punë çështja e impiantit të ujërave të zeza që duhet të ndërtohet për ta lidhur Ranillukun edhe pjesën e Kamenicës edhe pjesën e Hogoshtit dhe Karaçevës dhe që në përllogaritjet tona është projekt në vlerë 13-14 milionë euro, për të zgjedhur problemin e ujërave të zeza. Problemin e ujërave të zeza në fshatin Koretin e zgjidhim duke filluar nga dita e nesërme”, tha Matoshi.

Matoshi foli edhe për heqjen e posterëve të tij në fushatën zgjedhore në komunën e Kamenicës.

Ai tha se nuk ka pasur asgjë të kundërligjshme me posterët e tij, por që sipas tij komuna ka dashur të vendosë aty posterin e Ramush Haradinajt, kandidat për kryeministër nga AAK-PSD.

E kandidati i PDK-së Fakir Spahiu tha se kanë munguar investimet në Kamenicë. Sipas tij, PDK ka plane konkrete për investime në këtë komunë.

Spahiu: Probleme të mëdha ka me ujëra të zeza që kalojnë përmes fshatit Koretin

“Probleme të mëdha ka me ujëra të zeza që kalojnë përmes fshatit Koretin, Topancë dhe Dheu i Bardhë, të cilat lumi që kalon në Kamenicë do të ndërtohet kolektori, i cili do të trajtojë ujërat e zeza nga Koretini, Topanica dhe do të kalojnë te Dheu i Bardhë dhe do të liroheshin në lumin Morava. Të gjitha këto projekte janë të planifikuara për katër vjetët e ardhshëm që pritet të startojmë për kolektorin”, tha ai.

Ndërsa për shkollat, tha që ato të mos mbyllen, por t’u mundësohet të jetohet njerëzve atje, me plane konkrete.

Nexhat Rexha, kandidat për deputet nga LDK, tha se komuna e Kamenicës ka mbetur e anashkaluar dhe është lënë në harresë nga qeveritarët.

Rexha: Klima politika ka ndijuar që gjenerata e re mos ta ndijë veten të lirë

“Viti që kemi hyrë dhe viti që iku ishte njëri ndër vitet më të kobshëm për komunën e Kamenicës, sepse klima politika dhe ekonomike ka ndijuar që gjenerata e re mos ta ndijë veten të lirë dhe me perspektivë”, tha ai.

Rexha tha se nëse do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, komunën e Kamenicës do ta prezantojë sa më mirë sidomos me klimën e mbijetesës dhe fuqizimit të gjeneratës së re.

Në debatin e organizuar nga televizioni i Kamenicës, nuk ishin të pranishëm kandidatët e koalicionit  zgjedhor AAK-PSD.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat