Lëvizja Vetëvendosje shpalli fitoren - PDK pranon humbjen

Kosova

Lëvizja Vetëvendosje shpalli fitoren - PDK pranon humbjen

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 03:50
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke shpallur fitoren tha se po hapet një epokë e re për Kosovën ndërsa paralajmëroi hapjen e negociatave për koalicion qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, shënuan ndryshim të madh në skenën politike. Pas 12 vjetësh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës do të kalojë në opozitë.

Lëvizja Vetëvendosje, në mesnatë u hodh në kremtim në qendër të Prishtinës, pasi që me mbi 80 për qind të votave të numëruara, doli e para duke lënë pas vetes Lidhjen Demokratike, Partinë Demokratike dhe koalicionin ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke shpallur fitoren tha se po hapet një epokë e re për Kosovën ndërsa paralajmëroi hapjen e negociatave për koalicion qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai vlerësoi fushatën e kandidates së Lidhjes Demokratike për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani duke theksuar se "me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra që të angazhohen për politikë, drejtësi e ekonomi. Dua që me Vjosën të bashkëpunoj edhe në të ardhmen", tha ai.

"Qysh nesër do të vendosi kontaktet me Lidhjen Demokratike të Kosovës në mënyrë që me subjektin që ishim në opozitë ta kurorëzojmë ndryshimin ashtu që të bëhemi qeveri. Kur opozita bëhet qeveri atëherë kurorëzohet ndryshimi ndërkohë që ndryshimi politik tashmë ka ndodhur dhe mbanë datën e 6 tetorit 2019", tha zoti Kurti

Zoti Kurti tha se do të bashkëpunojë ngushtë me faktorët ndërkombëtar të cilët e njohin pavarësinë e Kosovës, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Britaninë e Madhe e vende të tjera.

“Do të jem partner me partnerët dhe aleat me aleatët, sepse shteti jonë ka nevojë për miq, për përkrahje e për ndihmë”, tha zoti Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha pak para orës 23 se pranon rezultatet e zgjedhjeve.

"Së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës kemi punuar shumë që t’i fitojmë zgjedhjet por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. Partia Demokratike e Kosovës do të kaloj në opozitë por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit. Kjo fushatë për mua ka qenë shumë e veçantë, u jam shumë falënderues dhe përjetë mirënjohës mijëra njerëzve që kam takuar tërë këto javë", tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se do të presë rezultatet përfundimtare por do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se "vendimi im për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sot u vërtetua që ishte veprim i drejtë".

Ai shkroi me tëj se "gara e drejt dhe e qetë, e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si model shembull në rajon. Për këtë meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim. Uroj që me të njëjtin nivel maturie, të mbyllet edhe ky cikël elektoral, duke i hapë rrugë pa vonesa, konstituimit të Kuvendit, dhe institucioneve të reja demokratike në vend", shkroi mes tjerash ai.

Rreth 44 për qind nga 1 milion e 900 mijë votues të regjistruar morën pjesë në zgjedhjet e së dielës, të cilat pasuan situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj me 19 korrik, pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës kushtëzon koalicione paszgjedhore sikurse edhe në të kaluarën, meqë nuk ka ndodhur asnjëherë që një parti e vetme të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Kjo ka bërë që ngritja e qeverive të jetë punë e vështirë, ndërsa rrëzimi i tyre shumë i lehtë. Asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Diplomatët kanë bërë thirrje që menjëherë pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që do të përballet me sfidat që e presin Kosovën, në radhë të parë me ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Zoti Kurti tha se "dialogu ka qenë sfidë deri më tani për shkak se kemi pasur përgjithësisht njerëzi pa kredibilitet dhe pa kompetencë, kemi pasur dialog të pa përgatitur mirë, pa parime, asimetrik, ku Kosova ishte më shumë temë se sa palë dhe kjo natyrisht që ndryshon. Tash e tutje unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës e marr përgjegjësinë që më takon me kushtetutë e ligj që ta udhëheq këtë dialog i cili nuk do të jetë më në dëm të Kosovës dhe i cili nuk shtron më pyetjen e gabuar se çfarë çmimi duhet të paguaj Kosova për njohjen e Serbisë, por shtrohet pyetjen e duhur për borxhin që na e ka neve Serbia si atë të okupimit dhe atë të luftës".

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Diplomatët amerikanë presin që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve për të rihapur bisedimet dhe derisa në muajin gusht sekretari Mike Pompeo, emëroi zotin Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, të enjten presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti Trump u kishte shkruar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi, duke theksuar se "do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike".

Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve në Kosovë dhe diplomatët shpresojnë që kjo të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat