Blegtoria si degë ekonomike dikur ishte jetike për opojanët - Bota Sot
Blegtoria si degë ekonomike dikur ishte jetike për opojanët

Kosova

Blegtoria si degë ekonomike dikur ishte jetike për opojanët

Nga: Muharrem Qafleshi Më: 10 tetor 2019 Në ora: 10:40
Ilustrim

Në këtë studim do të trajtojmë, veprimtarinë bujqësore e blegtorale, në trevën e Opojës, në veçanti blegtorinë në bjeshkët e Sharrit.

Ashtu si bujqësia, edhe blegtoria si veprimtari ekonomike janë ndër më të vjetrat jo vetëm në trevën e Opojës por edhe ndër shqiptarët në përgjithësi. Ne në këtë punim do të merremi vetë me veprimtarin blegtore.

Veprimtaria blegtorale dikur ishte jetike për opojanët dhe goranët e komunës së Dragashit, e cila veprimtari u zhvillua kryesisht në bjeshkët e Sharrit, sepse atje edhe ekzistonin kushtet e përshtatshme për këtë degë ekonomike. Jeta larg qyteteve dhe vendbanimeve të mëdha fushore krijonte kushte më të mira për një jetesë jo edhe aq të lehtë. Bjeshka dhe kullotat, jeta në stane gjatë ditëve të verës, krahas punës dhe mundimeve, këtyre banorëve u mundësonte edhe kënaqësi. Klima shumë e përshtatshme dhe kullosat e atyre viseve malore për disa muaj vere i bënin të lumtur këta banorë që dinin ta organizojnë këtë mënyrë jetese. Dimrat e gjatë dhe me shumë borë, blegtorët e kësaj pjese të popullatës shqiptare, i detyronte të bënin jetë nomade, që me bagëtitë e tyre në vjeshtë ta lënin vendlindjen dhe të niseshin për në vende me klimë më të butë, ata me bagëtinë e tyre zbrisni jo vetëm në Tetovë e Veles të Maqedonisë por edhe deri në Greqi, ku do të kalonin dimrin, prej nga, pranvera do t’i kthente përsëri.

Në botën shqiptare por edhe për Opojën është e njohur gojëdhëna për plakën e cila mezi priti të vijë prilli, për të dalë në stan. Kjo gojëdhënë që për plakën dhe bagëtinë e saj, u shndërrua edhe në legjendë, është prezent në shumë vendbanime, të viseve shqiptare veriore. Edhe sot, kur kah fillimi i pranverës bën mot i keq që shpeshherë shoqërohet me borë, erë shi e fërfallëzë, thuhet se është “koha e plakave” ose “plakat”, që ndërlidhet me plakën e vetmuar e cila me bagëtinë e saj nuk e priti kohën e përshtatshme për të dalë në bjeshkë por meqë bënte mot i mirë dhe po shkrihej bora, doli në stan kah fundi i Marsit. Ky veprim i ngutshëm i plakës si duket e ofendoi Marsin, muajin i cili në bjeshkë llogaritet dimër i vërtetë. I nënçmuar nga një plakë që nuk e respektoi fuqinë e tij, kërkoi tri ditë hua nga Prilli për ta zgjatur jetën e vet dhe ta mbysë plakën me gjithë dhentë. Kështu iu drejtua Marsi vëllait të vet Prillit: “Ore Mars bre vlla, mi jep nja tre ditë uha, ta mbyti plakën me krejt xhi ka. Në këtë rast, prilli ia dha këto ditë marsit dhe ky e mbyti plakën, ndërsa dhentë ia shndërroi në gurë, i ngriu ato.

Bjeshkët e Sharrit që shtriheshin nga Maja e Lubotenit deri në atë të Korabit, llogariten si më të përshtatshme për bagëti. Kullosat e bollshme, burimet e shumta dhe klima e përshtatshme për muajt e verës, krijonin kushte të mrekullueshme për ruajtjen e dhenve dhe të kafshëve tjera që ishin pjesë e jetës së opojanëve.

Për këtë veprimtari sa të vështirë aq edhe të dashur,

këngëtari popullor i krijoi lirikat ndër më të bukurat. Kënga e

Fushës (rrafshnaltës) së Korabit llogaritet ndër më të mirat e këtij

lloji të lirikës popullore. Në shumë këngë tjera kjo temë u këndua

dhe këndohet edhe sot.

Stani shtëpia e dytë e bariut në bjeshkë

Emri stan ka kuptimin – kasolle, vend me kotarin për bagëtinë dhe bulmetin, aty kanë jetuar barinjtë me familjet e tyre, sidomos gjatë ditëve të pranverës së vonë dhe stinës së verës.

Dikur në Opojë familjet e pasura, të cilat kanë pasur tufa delesh gjatë pranverës së vonë dilnin me bagëtinë e tyre (dele dhe lopë)në bjeshkët e Sharrit, në të shumtën e rasteve, në stan dilte një pjesë e familjes, ndërsa pjesa tjetër jetonte në katund për tu marr me bujqësi ngase bujqësia dhe blegtoria ishin të lidhur ngushtë njëra me tjetrën.

Në stan shpesh jetonin burrat e disa familjeve të cilët i bashkonin tufat e tyre të deleve dhe i ruanin së bashku bagëtinë, po ashtu edhe bulmetin së bashku e përgatitnin dhe fitimin e ndanin sipas numrit të bagëtisë që kishin në bjeshkë.

Në stanet ku dilej në mënyrë kolektive, jeta ishte shumë e organizuar, kishte punë për të gjithë, nga fëmijët e deri te më të moshuarit. Që nga mëngjesi i hershëm e deri në mbrëmje vonë, secili merrej me punën që mund ta bënte më së miri. Fëmijët zakonisht i ngisnin dhentë për t’i mjelë e më të mëdhenjtë i milnin. Disa fëmijë tjerë i ruanin vjetët, e disa i ruanin dhentë topalle. Fëmijët gjithashtu luanin me qentë dhe këlyshët. Gratë bënin bulmetin.

Madhësia e objektit të stanit, varej nga numri i anëtarëve të familjes ndërsa kotari nga numri i bagëtisë.

Meqë bulmeti përgatitej brenda në stan, në një pjesë të tij ku ishin renditur edhe enë të ndryshme, pjesa tjetër shërbente për qëndrim ditor ose për të fjetur.

Stanet më të mëdhenj, bëheshin në katër anët me mur guri dhe me dy dyer përballë njëra tjetrës, nga të cilat njëra ishte kryesorja ndërsa tjetra lidhej me kotarin ose saktësisht me stregën ku mileshin dhentë.

Kulmi i stanit ndërtohej me drunë dhe mbulohej me kashtën e duajve të theknit. Nga dy anët e murit renditeshin drunjtë që quhen kepra që takoheshin njëri me tjetrin në kulmin e stanit. Mbi keprat vertikale shtroheshin pallëzinat, drunë më të hollë që lidheshin me keprat me sixhim ose lektyrë prej kashte, ose edhe gozhdoheshin.

Stanet më të vegjël janë të ndërtuar me gardh në vend të murit. Të dy anët e gardhit lyhen me baltë soe vishen me duaj të kashtës së thekrës.

Në vjeshtën e vonshme, kur thahet bari barinjtë me familje ose grup burrash të disa tufave zbresin nëpër fusha ose fshat..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...