Nesër protestohet në mbrojtje të lumit Lepenc

Kosova

Nesër protestohet në mbrojtje të lumit Lepenc

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 14:07
Foto

Organizata për mbrojtjen e mjedisit ‘Gjethi’, ka njoftuar se nesër në ora 11:00, në Biti të Poshtme të Shtërpcës do të mbahet protestë ku do të kërkohet mbrojtja lumit Lepenc nga degradimit që po i bëhet me ndërtimin e hidrocentraleve.

“Ndërtimi i hidrocentralit H3 Viça, do të vendos në gypa lumin Lepenc që kalon nëpër fshatin Biti e Poshtme të komunës së Shtërpcës. Banorët e këtij fshati, pa dallim moshe, gjinie dhe etnie, që nga viti 2015, në vazhdimësi e kanë kundërshtuar këtë përmes formave të ndryshme juridike, si dhe protestave të qeta në vendin e ngjarjes. Me datën 08 tetor 2019, protestat tona në mbrojtje të lumit dhe jetës tonë, u ballafaquan me një dhunë të tepërt nga njësiti special i policisë duke mos u kursyer as fëmijët e vegjël, as nënat me fëmijë në krah!  Ky lum do të thotë jetë për banorët e Bitisë së Poshtme. Uji mban mbi 100 hektar të mbjella me mjedra e drithëra. Pa të, nuk kemi të ardhme as ne e as fëmijët tanë! Thërrasim të gjithë qytetarët që ende besojnë në mirëqenie që të na mbështesin në mbrojtjen e njërit nga katër elementet esenciale për jetë: UJIN!. Protesta jonë ka për qëllim mirëqenien e banorëve dhe mbrojtjen e mjedisit, i cili na takon të gjithë neve!”, ka njoftuar Organizata për mbrojtjen e mjedisit ‘Gjethi’.

Protesta organizohet nga banorët lokal dhe mbështetet nga Organizata për mbrojtjen e mjedisit ‘Gjethi’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat