Vushtrria do të bëhet me fabrikë për përpunim dhe paketim të peshkut

Kosova

Vushtrria do të bëhet me fabrikë për përpunim dhe paketim të peshkut

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 11:08
Vushtrri

(E plotësuar) - Kuvendi Komunal i Komunës së Vushtrrisë i ka dhënë sot dritën e gjelbër investimit privat për ndërtimin e një fabrike për përpunimin dhe paketimin e peshkut.

Projekti i kompanisë “Emona Group” bashkë me investitorët kroat “Conex” dhe partnerët e tyre spanjoll “Onnorsa” parasheh investim mbi 7 milionë euro në fabrikë dhe punësim të 208 grave në fazën e parë dhe deri në 500 punëtorë kur të kompletohet i gjithë projekti.

Me aprovimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal është ndarë një parcelë prej 5 hektarësh në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku do të ndërtohet fabrika.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se vendimi për të dhënë tokën komunale për këtë investim është një nga vendimet më të rëndësishme të këtij mandati.

Ai tha se qeverisja e mirë dhe transparente ka bërë që investitorë të rëndësishëm të kenë besim tek Komuna dhe të investojnë në Vushtrri, derisa premtojë vazhdim të përkrahjes për biznesin që krijon vende të punës duke respektuar ligjin por duke qenë krah biznesit e duke eliminuar burokracinë.

Sa i përket projektit kreu i Vushtrrisë tha se vlera e këtij investimi është mbi 7 milionë euro, kurse tha se investimi në asete fikse kalon shifrën e mbi 5 milionë eurove.

Tahiri: Një investim tepër të rëndësishëm privat në Komunën e Vushtrrisë

"Sot Kuvendi i Komunës ka hapur rrugën për një investim tepër të rëndësishëm privat në Komunën e Vushtrrisë, që ka për synim ndërtimin e një fabrike për përpunimin e peshkut. Do të punësohen në fazën fillestare 208 gra, ndërkohë që deri në fund të projektit deri në 500 gra. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa të goditura janë gratë dhe të rinjtë nga papunësia në Kosovë dhe ky projekt është jashtëzakonisht i mirëseardhur. Si Komunë kemi ofruar krejt mbështetjen tonë edhe administrative edhe logjistike për investitorët. Ky është vetëm hapi i parë deri në realizim e plotë të investimit ne do të vazhdojmë të përkrahim investitorin. Fakti që vijnë investitorë në Komunë e Vushtrrisë tregon për një transparencë dhe një llogaridhënie të qytetit të Vushtrrisë ndaj qytetarëve, por edhe ndaj investitorëve”, tha ai.

Tahiri u shpreh se për investitorin do të ofrojnë të gjithë përkrahjen e Komunës së Vushtrrisë.

Tahiri: Komuna e Vushtrrisë ka ofruar një parcelë prej 5 hektarësh

“Shpresoj shumë që ky investim do të realizohet, komuna e Vushtrrisë ka ofruar një parcelë prej 5 hektarësh dhe do të ofrojë të gjithë ndihmesën tjetër edhe në infrastrukturë për investitorin, në mënyrë që vërtetë të kemi ndërtimin e kësaj fabrike dhe punësimin që është më e rëndësishmja të grave në qytetin tonë. Fabrika do të ndërtohet në fshatin Gracë në atë pjesë të territorit dhe është jashtëzakonisht e përshtatshme për këtë lloj aktiviteti. Prandaj, shpresoj shumë që kjo do të realizohet shumë shpejt”, tha ai.

Përfaqësuesi i kompanisë kroate “Conex” Mladen Milakoviq, para anëtarëve të Kuvendit Komunal ka paraqitur projektin për ndërtimin e fabrikës për përpunimin dhe paketimin e peshkut.

Ai u shpreh i bindur se i gjithë projekti do të përfundojë në afatin e paraparë, derisa ka theksuar se faza e projektit do të fillojë shumë shpejt.

Milakovic: Faza e parë e projektit do të fillojë shumë shpejt

"Faza e parë e projektit do të fillojë shumë shpejt dhe qysh në fillim do të punësohen rreth 200 punëtorë dhe shumë shpejt do të fillojë edhe ndërrimi i dytë. Nëse gjithçka shkon sipas planit që në bazë të planit që kemi me e dyfishua punësimin. Në rast se cdo gjë shkon siç duhet nga të dyja palët unë në një periudhë prej tri vitesh do të shkojë numri në 1 mijë", tha ai.

Kurse, përfaqësuesi i kompanisë “Emona” Latif Resyli, tha se kanë hasur në bashkëpunim shumë të mirë me Komunën e Vushtrrisë për të sjell këtë investim në Kosovë.

Resyli tha se arsyeja e insistimit të tyre që ky projekt të jetësohet në Vushtrri ka qenë numri i personave që pritet të punësohen.

Resyli: Parashihet mosha 40 deri në 50 vjeç të punësohen

“Arsyeja pse ne kemi insistuar për këtë projekt ka qenë ekskluzivisht numri i të punësuarve dhe struktura e punësimit është diçka e veçantë, për shkak se parashihet mosha 40 deri në 50 vjeç të punësohen. Strukturë e cila është thuajse e lënë më anash në shoqërinë tonë. Jam thellësisht i bindur se shumë shpejt do të fillojmë dhe do ta finalizojmë projektin. Ne si kompani jemi të interesuar edhe me bashkëpunëtorët e tjerë me hap projekte të reja, por duke llogaritur që procedurat burokratike në ministri të caktuara nuk do të na pengojnë për realizimin e projekteve të ndryshme”, u shpreh ai.

Mbështetje këtij projekti i kanë dhënë të gjithë përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, të cilët kanë votuar për t’i ndarë parcelën për ndërtimin e fabrikës.

***

Kuvendi Komunal i Komunës së Vushtrrisë ka marrë vendim për të aprovuar kërkesën e kompanisë "Emona" sh.p.k në Vushtrri, kompanisë kroate "Conex Trade" dhe kompanisë spanjolle "Onnorsa" për dhënien në shfrytëzim afatgjatë me kompensim të tokës në pronësi të komunës, për realizimin e projektit "Ndërtimi i fabrikës për përpunimin e peshkut të detit".

Komuna e Vushtrrisë ka ofruar një parcelë prej 5 hektarësh në fshatin Gracë. Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se me ndërtimin e kësaj fabrike në fazën fillestare do të punësohen 208 punëtorë.

 Ai bëri të ditur se përparësi në punësim do të kenë gratë.

“Një prej detyrave themelore të një kryetari është krijimi i mundësive për bizneset për të krijuar vende të reja të punës. Këto vite të qeverisjes jemi munduar të krijojmë kushte për bizneset që të bëjnë biznes. Kam marrë kërkesë nga këto kompani për dhënien në shfrytëzim të tokës komunale. Pritet 400 deri në 500 punëtorë kryesisht nga Vushtrria, si fazë fillestare është paraparë të punësohen 208 punëtorë. Vlera e këtij projekti është mbi 7 milionë euro", tha ai.

 Përfaqësuesi i kompanisë kroate, Mladen Milakoviq, tha se faza e parë e projektit pritet të fillojë shumë shpejt.

"Faza e parë e projektit do të fillojë shumë shpejt dhe qysh në fillim do të punësohen rreth 200 punëtorë dhe shumë shpejt do të fillojë edhe ndërrimi i dytë. Nëse gjithçka shkon sipas planit  do të dyfishojmë  punësimin", tha ai.

 Latif Resyli nga Emona, tha se në fazën e parë janë paraparë që të punësohen 208 punëtorë  e më tej ky numër të rritet deri në 500.

"Na ka pëlqyer struktura e të punësuarve. Në Vushtrri është shumë më lehtë me gjet punëtorë në Vushtrri. Për fazën fillestare është paraparë punësimi i 208 punëtorë, për të vazhduar më tej deri në 400 ose 500", tha ai.

Mbështetje këtij projekti i kanë dhënë të gjithë përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat