Qytetarët e Obiliqit ankohen për erë të rëndë dhe tym

Kosova

Qytetarët e Obiliqit ankohen për erë të rëndë dhe tym

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 17:12
Foto ilustrim

Në komunën e cila nuk është as dhjetë kilomentra larg kryeqytetit të Kosovës, tash e sa ditë qytetarët po përballen me erë të rëndë dhe tym që vije nga termocentralet e KEK-ut. Ajri i ndotur i cili po ndodhë si shkak i një përzierje të tymit, pluhurit dhe hirit, ka edhe një erë të rëndë, i cili po ua ngacmon frymarrjen qytetarëve.

Musa Asllani i cili është banor në këtë komunë po thotë se dita-ditës është bërë e vështirë jetesa në këtë vend. Sipas tij, ditëve të fundit është vërejtur një tym më i theksuar.

Asllani: Pluhun e kjamet, nuk e di si po jetojmë në këtë komunë  

“Pluhun, kjamet, ajër i ndotur, pa pastërti, nuk e di qysh po jetojmë ne në komunë të Obiliqit. Kanë dhënë premtime, nuk ka asgjë as prej Qeverisë, as prej askujt....Qeveria është fajtor, po kush tjetër, kryetari i komunës, Qeveria edhe drejtori i KEK-ut, i cili është kompetent për të ngjitur filterat e pastrimit të ajrit, ata nuk ngjitën asnjëherë dhe del tymi pa filtrim, e ne e thithim krejt, pastaj sëmundjet”, thotë ai.

I frustruar për neglizhencën e institucioneve po del të jetë edhe Mehmet Gashi, po ashtu banor i Obiliqit.

Gashi: Udhëheqësia i ka fajet

“Po ka tym, e po janë tonat, krejt udhëheqësia i ka fajet, krejt kryesia i ka fajet... Ka më shumë, e ka gjithë, po krejt udhëheqësia fajet i ka”, shprehet Gashi.

Për KosovaPress, Muharrem Shatrolli derisa fajëson institucionet kompetente për këtë çështje, thotë se gjatë sezonës së dimrit po e kanë shumë të vështirë të përballën me këtë ajër.

Shatrolli: KEK-u nuk po ndërmerr asgjë

“Është evidente ajo, megjithëse filterat po punojnë tash më mirë, por ka njëfar tymi, nuk është mirë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë....KEK-u nuk po ndërmerr asgjë këndej, popullata nuk ka se çfarë të bëjë...Është vështirë, sidomos tashmë sezona e dimrit kur edhe ndezët me qymyr, është shumë më keq”, thotë ai.

Se ajri i ndotur në këtë vend është evident, e thotë edhe Skender Sullova, megjithatë sipas tij, këto ditë është vërejtur tym më i theksuar që vije nga oxhaqet e termocentraleve.

Sullova: Në tre të mëngjesit ka gjithmonë erë

“Sidomos në tre të mëngjesit, në katër të mëngjesit ka gjithmonë një erë... gjithëherë ka. ...Shumë  e vështirë, shumë”, përfundon ai.

Në lidhje me këtë, në një përgjigje dhënë KosovaPress-it, drejtoresha e Ambientit në komunën e Obiliqit, Fitore Hashani ka mohuar të ketë pasur ankesa sa i përket tymit. Sipas saj, këto ditë është duke u punuar në riparimet e Kosovës B, dhe se mund të ketë zhurmë gjatë pasdites.

“Ne nuk kemi asnjë ankesë këtyre ditëve sa i përket tymit. E dëshmojnë edhe raportet e Institutit Hidrometeorologjik e edhe raportet e KEK, ndërsa ne jemi në procedurat tenderuese të Laboratorit Mobil, i cili do të bëjë matjet e ndotjes në komunën tonë dhe deri atëherë gjithçka e kësaj fushe është në harmoni me ligjet në fuqi nga MMPH-ja. Në këtë dhjetë ditësh të fundit kemi pasur në intervalet e pasdites kryesisht më shumë zhurmë, kjo si pasojë e riparimeve që po ndodhin në TC"Kosova B", por që ne si komunë po jemi të informuar me kohë për zhvillimet që do të ndodhin. Ndërsa për vitet në vazhdim në presim mirëkuptim nga KEK të krijoj brezin e gjelber si dhe të vazhdoj në investimet në ambient bazuar ne kërkesat e komunitetit si dhe ligjet ne fuqi”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Obiliqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat