Mbahet marshi kundër kancerit të gjirit, kërkohet rritja e buxhetit

Kosova

Mbahet marshi kundër kancerit të gjirit, kërkohet rritja e buxhetit

Më: 26 tetor 2019 Në ora: 15:23
Mbahet marshi kundër kancerit të gjirit

Me moton “Zbulimi Hershëm – Mbijetesë”, për të dymbëdhjetën herë me radhë në kryeqytet është organizuar marshi tradicional kundër kancerit të gjirit. Kjo me qëllim të ndërgjegjësimit ndaj kësaj sëmundje. Nga aty u është bërë thirrje institucioneve që ta kenë prioritet rritjen e buxhetit për qendrat që trajtojnë këtë sëmundje.

Nafije Latifi nga Qendra Kosovare për luftimin e Kancerit të Gjirit, "Jeta Vita", ka bërë thirrje që gratë të mos presin për trajtime onkologjike. Sipas saj, ky marsh tash e saj vjet po sensibilizon gratë e atakuara me këtë sëmundje, e po ashtu gjithë popullatën.

Latifi: Kërkoj që institucionet të ofrojnë buxhet më të madh 

“Kërkoj që institucionet përgjegjëse të ofrojnë buxhet më të madh dhe mundësi më të mëdha si në staf, ashtu edhe në pajisje medicionale, në infrastrukturë e tjera.... (A e kanë prioritet institucionet një gjë të tillë) Jo asnjëherë për fat të keq, asnjëherë”, deklaron ajo.

Ajo u bën thirrje të gjitha grave, që të bëjnë kontrolle dhe të jenë të forta përballë kësaj beteje.

E pranishme në këtë organizim ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga. Ajo tha se  vetëm në Kosovë gjatë këtij viti, në periudhën janar dhe korrik, janë lajmëruar 912 raste me kancer, prej të cilave 211 janë me kancer të gjirit. Jahjaga tha se rritja e numrit të të prekurve me këtë sëmundje duhet të reflektojë në ngritjen e vetëdijes, shtimin e rasteve parandaluese dhe diagnostifikimin në kohë.

Jahjaga: Tradicionalisht këtë muaj e kemi ngjyrosur me ngjyrën rozë

“Tradionalisht këtë muaj e kemi ngjyrosur me ngjyrën rozë në shenjë të solidarizimit, me ato gra që i kemi humbur në betejën kundër kancerit të gjirit, në shenjë përkrahje për ato që janë ende duke luftuar dhe në formë shtytje drejt të menduarit pozitiv për të gjithë miqtë dhe familjarët që gjithnjë ju kanë qëndruar pranë atyre që janë duke luftuar me këtë sëmundje. Ngjyra rozë sipas normave shoqërore, nuk është ngjyrë e cila simbolizon luftën apo ndonjë betejë, cilësohet si një ngjyrë e butësisë dhe qetësisë të secilës grua, por unë mendoj që është ngjyra më e bukur që tregon për forcën e gruas dhe që tregon për shpirtin e saj luftarak dhe për aftësinë e gruas që të ruaj butësinë dhe qetësinë edhe në sfidat, dhe vështirësitë që grua ballafaqohet”, tha Jahjaga.

Arnisa Osmani, e cila i ka mbijetuar kësaj sëmundje, ka këshilluar gratë pjesëmarrëse që të shkojnë në kontrolla dhe ta duan jetën.

Osmani: Duani jetën 

“Vetë fjala kancer është tmerr, mirëpo me vullnet, me betejë, njeriu i fiton të gjitha, me pozitivitet. Ju falënderoj të gjithëve që më keni përkrahur të jem sot këtu, së bashku me juve. Duajeni jetën, ashtu siç e dua unë, kjo është motoja ime. Shkoni në kontrolla mos e leni në minutë të fundit", tha ajo.

Para katër viteve Selimi Bytyqi u diagnostifikua me kancer. Ajo thotë se në këtë marsh tradicional, për çdo vit po takohet me shoqet e saj, duke ndarë përjetimet që u kanë mbetur nga kjo sëmundje.

Bytyqi: Mos u dorëzoni

“Mesazhi im është që të gjitha gratë e Kosovës, kujt t’i ndodhë kjo e keqe, mos të dorëzohen, se ka shërim, vetëm me kohë”, thotë ajo.

Këtij marshi me një qëllim iu bashkuar edhe Violeta Zatriqi, kirurge plastike rekonstruktiv. Ajo tha se sot është këtu për të informuar të gjitha femrat që në QKUK, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, po u ofrohet mundësi rindërtuar gjirin, e të gjitha këto sipas saj po bëhen falas.

Zatriqi: Këto femra nuk do të jenë të kompleksuara 

“Pas amputimit, pas kancerit të gjirit, vjen deri te amputimi apo operimi i gjirit, dhe ne si kirurgë plastikë, kemi mundësi që këtyre femrave me anë të intervenimeve kirurgjikale, qoftë me inde autologe apo me proteza të ndryshme t’i ndërtojmë gjirin këtyre femrave. Dhe këto femra nuk do të jenë të kompeksuara”, ka deklaruar ajo.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat