Në Onkologjinë e QKUK’së mungojnë citostatikët kryesor për pacientët e sëmurë me kancer

Kosova

Në Onkologjinë e QKUK’së mungojnë citostatikët kryesor për pacientët e sëmurë me kancer

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 08:00
Ilustrim

Listë e gjatë e barnave dhe materialeve mungojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndër to janë edhe medikamentet kryesore për trajtimin e pacientëve të sëmurë me kancer në Klinikën e Onkologjisë në QKUK. Citostatikët si Etoposide, Carboplatine, Cisplatin, Paclitaxel 30 mg dhe 100 mg dhe disa lloje tjera nuk janë në stockun e Barnatores Qendrore.

Por zyrtarët e SHSKUK-së deklarojnë për Gazetën Shneta se porositë për këto barna tanimë janë bërë dhe pritet të furnizohen. “Porositë për artikujt në fjalë janë lëshuar, jemi në pritje të liferimit nga operatori ekonomik”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Në QKUK vazhdon të ketë mungesë edhe të materialeve tjera elementare për trajtimin e pacientëve, sikurse është kontrasti. Në klinika ka pas mungesë edhe të tretjes fiziologjike, por zyrtarët thonë se tani rishtas janë furnizuar.

“Furnizimi me NaCl 500ml është liferuar, pra stoqet të qëndrueshme. Një pjese e fletëporosisë është liferuar për Kontrast, dhe jemi në pritje të përmbushjes së plotë të fletëporosisë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Zyrtarët e Barnatores Qendrore nuk kanë treguar se sa është përqindja e furnizimit aktualisht. Ndonëse ka shumë mungesa, ata thonë se furnizimi është i qëndrueshëm për produktet vitale.

“Furnizimi është i qëndrueshëm për produktet vitale. Disa artikuj janë në procedurë të tenderimit. Kemi liferime në baza ditore duke e bërë furnizimin e qëndrueshëm”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat