Vrasja misterioze e Elvis Pistës: Pesë vite hetim, asnjë provë

Kosova

Vrasja misterioze e Elvis Pistës: Pesë vite hetim, asnjë provë

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 17:09
Elvis Pista

Data e 15 qershorit do të shndërrohej në një përvjetor të kobshëm për familjen Pista nga Rahoveci. Në po këtë datë të vitit 2014, atyre do t’u vritej djali i vetëm i familjes, Elvisi. Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga kjo ngjarje, e cila përveç që nuk u zbardh, u mjegullua edhe më shumë, duke i lënë në liri autorët e vrasjes që kishte tronditur Rahovecin, mirëpo edhe mbarë opinionin në Kosovë.

Ishte nata mes 14 dhe 15 qershorit të 2014-tës kur kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Elvis Pista ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri. Në natën kritike, Pista do të dilte bashkë me miqtë e tij (gruan, shokun e tij dhe bashkëshorten e shokut), nga një aheng të mbajtur në vendin e quajtur “Jaha Petrol”, nga ku më pas ishte qëlluar me armë zjarri nga diku rreth 7 metra largësi.

Në ditën kritike, personave që ishin bashkë me të s’do t’u jepej përshtypja se Elvis Pista është qëlluar me armë zjarri, ndërkaq që sipas kallëzimit penal të Policisë ata fillimisht kishin menduar se krismat vijnë nga ndezja e fishekzjarrëve por, që ato nuk ishin fishekzjarre. Ato ishin katër të shtëna të një arme të kalibrit 7.65 milimetra që besohet të ketë pasur edhe shurdhues të zhurmës. Këto të shtëna do të ishin fatale për Elvis Pistën që ndërroi jetë në orët e para të datës 15 qershor të 2014-tës.

Më shumë se pesë vite hetim, asnjë provë për zbardhjen e rastit

Deri në vitin 2016, lidhur me rastin ishin intervistuar rreth 94 dëshmitarë, por pa asnjë rezultat.

Për rastin, kanë folur Prokuroria Themelore e Gjakovës. Në një përgjigje nga kjo prokurori e pranojnë se nuk është arritur të gjendet kryerësi i mundshëm i vrasjes.

“Në hetimet e kryera deri më tani, ende nuk është arritur që të gjendet kryerësi apo kryerësit e mundshëm të vrasjes”, thonë nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Tutje, nga prokuroria thonë se deri tani, nuk është arritur të sigurohet ASNJË provë e re për zbardhjen e rastit, teksa hetimet vazhdojnë.

“Po ashtu deri më tani, nuk kemi arritur të sigurojmë ndonjë prove të re në zbardhjen e rastit. Rasti ende vazhdon të jetë në hetim”, thonë tutje nga kjo prokurori.

Ata bëjnë të ditur se prokuror i rastit vazhdon të jetë Ali Uka, dhe se çështja nuk i ka kaluar ndonjë prokurori tjetër.

Sipas Arianit Kocit, avokat i angazhuar nga familja Pista për përcjelljen e rastit të Elvisit, koha e gjatë e kaluar pa ndonjë konkluzion në hetime, do të jetë pengesë e madhe në zbulimin dhe zbardhjen e vrasjes.

Ai thotë, se që disa vite është në pritje të një thirrje nga Prokuroria ose hetuesia për informacione të reja, mirëpo që deri tash nuk ka pasur asnjë kontakt.

“Unë dhe familja që disa vite presim ndonjë kontakt nga hetuesia, mirëpo kurgjo deri tash nuk kemi. Mua nuk më kanë kontaktuar, edhe pse jemi në pritje të ndonjë informate të re eventuale”, sqaron avokati.

Rrëfimi dhe thirrja e familjarëve ndaj prokurorisë dhe shtetit

Edhe më i dhimbshëm është rrëfimi i familjarëve të Elvis Pistës, kur kanë kaluar pesë vite e gjysmë që nga vrasja.

Nëna e Elvis Pistës, Hidija rrëfen neglizhencën, që, sipas saj, e ka treguar Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Ajo thotë të kenë kërkuar që rasti të kaloj në Prokurorinë Speciale, mirëpo se për këtë kërkesë nuk janë mirëpritur.

“Ju e dini që rasti trajtohet nga Prokuroria e Gjakovës. Me vajzën time, Beatrisën kemi qenë tek prokurori Ali Ukaj për të tërhequr lëndën dhe ta dërgojmë në Speciale, mirëpo nuk jemi mirëpritur për këtë”, thotë fillimisht ajo.

Hidija Pista thotë se vajza e saj, Beatrisa ka pasur aksident dhe se nuk ka mundur ta dërgojë kërkesën me shkrim në Prokurori, teksa thotë se hetuesit e rastit e kanë ndërruar sektorin.

“Vajza ka pasur aksident dhe nuk iu është drejtuar me shkrim. Ndërkohë, nga hetuesit e rastit të krimeve të rënda nuk ka as edhe një lëvizje as informacion për përparim të rastit. Ne kemi kontaktuar me hetuesit e krimeve të rënda, ndërsa ata fatkeqësisht pas katër vitesh janë pozicionuar, disa kanë kaluar në krime ekonomike e disa në krime lufte. E që dy vite nga hetuesit e rinj nuk ka as edhe një thirrje”, vazhdon rrëfimin nëna e Elvisit, Hidija.

Nëna e Elvisit hedh gishtin tek strukturat shtetërore dhe njerëz nga drejtësia, me akuzën se po duan ta stopojnë zbardhjen e rastit.

Ajo thotë se as avokati i angazhuar nga familja, Arianit Koci, nuk është lejuar që të ketë hapësirë dhe qasje në rast.

“Elvisi më 15 qërshor të vitit 2020 i bën gjashtë vite nga vrasja. Është shumë e qartë që këtë rast dikush ose disa po e stopojnë, duke filluar nga prokuroria e Gjakovës. Nga ana tjetër kemi angazhuar avokatin e familjes, Arianit Koci, që të përcjellë ecurinë e rastit te krimet e rënda, por as avokatit nuk i kanë dhënë hapësirë të ketë qasje në rast”, thotë ai.

Hidija përmend edhe emra nga ministria e Drejtësisë, nga të cilët ai thotë të ketë kërkuar ndihmë, por përveç orientimit profesional, thotë se s’ka marrë ndonjë përgjigje tjetër.

“Kemi kërkuar ndihmë edhe nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, për ta dërguar rastin në Speciale, por ka thënë se është i gatshëm të na orientojë profesionalisht dhe s’është bërë gjë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Në fund të rrëfimit të dhënë ajo përmend edhe emrat e Astrit e Arbnor Deharit.

“Secili njeri, s’ka nevojë të jetë ekspert për të kuptuar se ky rast që ka ndodhur pas Arbnorit e para Astritit, le të dyshohet se nuk po i konvenon shtetit të zbulohet. Unë them që edhe arma me shurdhues më të vogël dëgjohet për ata që kanë vesh”, e përmbyll deklaratën e saj nëna e Elvis Pistës, Hidija Pista.

Elvis Pista, ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohej si njëri ndër biznesmenët më të suksesshëm nga Rahoveci.

Për një kohë, ai kishte punuar edhe në Post-Telekomin e Kosovës. Në zgjedhjet e 8 qershorit të vitit 2014, saktësisht një javë para se të vritej, ai kishte dalë si personi i dytë më i votuar në Rahovec nga partia e tij, gjë që dëshmonte ndikimin dhe popullaritetin e tij në këtë komunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat