Serbët në institucionet e Kosovës marrin rroga duke punuar nga shtëpia, nuk dalin në vendet e punës - Bota Sot
Serbët në institucionet e Kosovës marrin rroga duke punuar nga shtëpia, nuk dalin në vendet e punës

Kosova

Serbët në institucionet e Kosovës marrin rroga duke punuar nga shtëpia, nuk dalin në vendet e punës

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 19:31
Foto ilustrim

483 pjesëtarë të mbrojtje civile, që u punësuan në institucione të Kosovës, vazhdojnë të paguhen nga buxheti i Kosovës, kurse disa prej tyre nuk paraqiten fare në punë.

Punësimi i tyre është bërë nëpër ministri dhe agjenci të ndryshme shtetërore, gjatë viteve 2015-2016, raporton KTV.

Pasi nuk shkojnë në vendin e punës, u është mundësuar që të punojnë në ndërtesa të komunave veriore.

Disa prej tyre janë pajisur me kompjuterë, për të punuar edhe nga shtëpitë e tyre.

Ndërkaq, kjo zyrë në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës Veriore, është bosh.

Ministria e Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga Adriana Hoxhiq, thotë se integrimi i pjesëtarëve të mbrojtjes civile është bërë në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, ministrja në detyrë, Hoxhiq, thotë se punonjësit serbë nëpër institucione, si alternativë për të punuar, janë duke i shfrytëzuar objektet e komunave veriore.

Thotë se kanë evidenca për hyrje-daljet e tyre në punë.

“MAPL-ja është përgjegjëse vetëm për zyrtarët e vet, të integruar sipas këtij procesi. Të njëjtit janë pajisur me kompjuterë dhe kanë planet dhe raportet e punës për aktivitetet që i zhvillojnë në kuadër të detyrave të punës. Secili drejtor i departamentit, në vazhdimësi i angazhon për punët dhe detyrat e punës që lidhen me fushëveprimtarinë përkatëse. Në baza ditore, ata evidentohen dhe nënshkruhen në listat e vajtje-ardhjeve në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës Veriore. Në baza javore, këta zyrtarë raportojnë për punën e tyre te drejtori përkatës”, ka thënë Hoxhiq.

Por, ndryshe nga ajo çfarë thotë Hoxhiq, Raporti i Auditorit për Ministrinë e Pushtetit Lokal, konfirmon se 18 ish-pjesëtarë të mbrojtjes civile të punësuar në këtë ministri, marrin pagë pa shkuar fare në punë. Për vitin 2018, janë paguar mbi 81 mijë euro.

Po ashtu, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Ministrinë e Infrastrukturës.

Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 32 zyrtarë të kësaj ministrie, ishte 153 mijë e 554 euro.

Pa pasur evidenca të vijueshmërisë në punë, të 29 ish-pjesëtarë serbë të mbrojtjes civile të punësuar në Ministrinë e Mjedisit, gjatë vitit 2018 janë paguar 126 mijë 242 euro.

Po sipas Raportit të Auditorit, vetëm Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka paguar mbi 92 mijë euro, 18 punonjës të ish-strukturave paralele serbe, pa punuar fare.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar 97 mijë e 733 euro për pagat e 22 punonjësve të ish-strukturave paralele serbe, pa u paraqitur në punë.

Krejt këto pagesa, Auditori i Përgjithshëm i ka cilësuar të parregullta, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit.

Donika Emini nga KFOS, e cilëson skandal të madh të Qeverisë së Kosovës mosvijueshmërinë në punë të të punësuarve serbë në institucione.

Më 22 korrik të 2015-s, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për shuarjen e strukturës paralele serbe, “Mbrojtjes civile”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat