Studentët kërkojnë anulimin e konkursit për bursa, paralajmërojnë ndërprerje të mësimit

Kosova

Studentët kërkojnë anulimin e konkursit për bursa, paralajmërojnë ndërprerje të mësimit

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 13:04
Protesta e studentëve të Edukimit

Studentët e Fakultetit të Edukimit, Arteve dhe Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit kanë protestuar sot para MASHT-it në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen e tyre në bursa.

MASHT ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshim të konkursit për bursa, gjë e cila ka shtyrë studentët të paralajmërojnë bojkot të procesit mësimor.

Përfaqësuesit e studentëve të Fakultetit të Edukimit, Arteve dhe Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit kanë mbajtur një takim me ministrin në detyrë të Arsimit, Shyqri Bytyqi, i cili, sipas tyre, ua ka bërë me dije se nuk do të ndryshojë konkursin e bursave.

Pas daljes nga takimi me ministrin e Arsimit, përfaqësuesi i Fakultetit të Edukimit, Edvin Hoxha, tha se MASHT ka vendosur të vazhdojë me shkeljen e ligjit për konkursin e bursave dhe nuk pranon të ketë ndryshime.

Ai tha se studentët do të vazhdojnë me protesta e bojkotim të procesit mësimor me kërkesën për anulimin e konkursit për bursa.

Hoxha: Të anulohet konkursi për bursa

“Përderisa Fakulteti Ekonomik cilësohet si prioritet nacional  dhe ministri sapo tha se nuk kam shkel asnjë ligj dhe qëndron në vendim ligji që e ka shkelur ai dhe jep justifikime  të paarsyeshme, ne sapo e lamë takimin në gjysmë dhe e bojkotuam këtë takim përderisa nuk ka përgjigje konkrete, me përgjigjen se “a ta anuloj t’i marrë në qafë studentët tjerë”, ne nuk shkojmë përpara. Ne kërkojmë anulimin  e këtij konkursi që të mos ketë bursa derisa të vij një ministër, i cili vlerëson si duhet, jo ministra të cilët vetëm i largojnë prej fakultetit dhe përdorin si justifikim se kanë përshirë edhe fakultete të tjera”, tha Hoxha.

Hoxha paralajmëroi se në rast të mos anulimit të konkursit për bursa, atëherë studentët do të bllokojnë Fakultetin e Edukimit dhe do të futen në grevë.

Edhe kryetari i studentëve në Fakultetin e Edukimit, Shkodran Murturi kërkoi anulimin e vendimit për mos përfshirjen e Fakultetit të Edukimit në konkursin e shpallur për vitin akademik 2019/20.

Murturi: Kërkojmë anulimin e vendimit për bursa

“Kemi dalë këtu para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që me anë të kësaj proteste paqësore të kërkojmë anulimin e vendimit për mos përfshirjen e Fakultetit të Edukimit në konkursin e shpallur për vitin akademik 2019/20, pra për mohimin e të drejtës për aplikim për bursa, me kontekstin apo me pretendimin e tyre se Fakulteti i Edukimit nuk është me prioritet për arsye të tregut të punës”, tha Murturi.

Ndërsa, kryetarja e Këshillit studentor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Qendresa Ramabaja tha se anashkalimi i këtij fakulteti nga përfshirja në konkursin për bursa është fyes për ta, pasi përmes sportit, artit, kulturës promovohet i gjithë vendi.

Ramabaja: Largimi nga konkursi i bursave, është fyes për ne

“Të mos jemi të përfshirë në këto bursa për neve është shumë fyese dhe një demotivim i madh, sepse nuk ofrohet së paku një bursë në mënyrë për të motivim dhe të vazhdojmë të promovohet edhe Kosova, por edhe i gjithë rajoni”, tha Ramabaja.

Ndryshe, studentët e Fakultetit të Edukimit, Arteve dhe Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit kanë paralajmëruar se nga nesër do të bojkotojnë procesin mësimor dhe do të futen në grevë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat