Vetëm 13 gra hyjnë në Kuvend sipas kuotës gjinore, “koha të mendohet për barazi”

Kosova

Vetëm 13 gra hyjnë në Kuvend sipas kuotës gjinore, “koha të mendohet për barazi”

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 00:19
Kuvendi i Kosovës

Vetëm 13 nga 39 gra do të ulën në ulëset e Kuvendit të Kosovës duke iu falënderuar kuotës gjinore.

Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje do të ketë më së paku gra të zgjedhura në Kuvend me kuotë gjinore.

Që para shpalljes së listave të kandidatëve për deputetë në vazhdimësi është bërë thirrje që të garantohet përfaqësim më i madh i grave në politikë dhe në vendimmarrje.

Marrë nga të dhënat e dala pas zgjedhjeve të 6 tetorit, sipas kuotës numrin më të madh të deputeteve e ka PDK-ja. 6 nga 8 gra janë zgjedhur deputete duke u thirrur në kuotë gjinore, nga radhët e kësaj partie.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është partia e dytë e cila në ulëset e Kuvendit do të ketë 4 nga 5 deputete duke iu falënderuar kësaj kuote.

Ndërkaq sipas kësaj kuote, nga LDK-ja dy deputete do të sigurojnë ulësen në Kuvend. E një e tillë do të jetë edhe nga Partia Demokratike Turke e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 11 gra deputete, mirëpo të njëjtat janë votuar, duke mos pasur nevojën e kuotës gjinore.

Njohësi i proceseve zgjedhore, Albert Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, derisa ka paraqitur statistika nga ulëset në Kuvend të siguruara nga kuota gjinore, ka thënë se kësaj të fundit po i humbet rëndësia gradualisht.

Ai tutje ka shtuar se është koha të mendohet për kuota gjinore në lista të kandidatëve 50/50.

“Në këto zgjedhje do të ketë më së paku gra të zgjedhura në Kuvend me kuotë gjinore, vetëm 13 nga 39 të zgjedhura. Kuotës gjinore gradualisht po i humbet rëndësia. Koha të mendohet për kuota gjinore në lista në kandidatëve 50/50”, ka shkruar ai.

Ndërkaq Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore ka thënë për Koha.net se partitë politike nuk treguan gatishmëri për përfaqësimin e plotë të barazisë gjinore duke mos e respektuar Ligjin për Barazinë Gjinore i cili kërkon që listat e kandidatëve të ndahen 50:50 me burra dhe gra, ndonëse sipas saj, organizatat që merren me të drejtat e grave, por edhe Avokati i Popullit, e ngritën shumë herë këtë shqetësim.

“Mirëpo, rezultatet e kandidateve gra në këto zgjedhje dëshmuan se elektorati kosovar ka avancuar në aspektin e besueshmërisë politike ndaj tyre, e cila mund të konsiderohet edhe më e madhe sesa e vet partive politike. Këto zgjedhje theksuan qartë se kuota prej 30 për qind, ndonëse ndonjëherë është kritikuar, tashmë është shndërruar në ndihmesë për gratë politikane”, ka thënë ai.

Sipas tij, është e domosdoshme që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të harmonizohet me Ligjin për Barazinë Gjinore në mënyrë që Kosova të krijojë parakushte edhe më të mira për arritjen e një standardi të lartë të përfaqësimit të grave në politikë dhe vendimmarrje.

E derisa kishte folur për kuotën gjinore prej 30 për qind në Parlamentin e Kosovës, ekspertja e çështjeve gjinore, Sibel Halimi, e ka cilësuar si mungesë të vullnetit të partive politike përfshirjen e më shumë grave në listat zgjedhore

“Megjithatë është minimale nuk është e mjaftueshme që të trajtohen çështjet e gruas vetëm me përfshirjen e grave në lista zgjedhore, është shumë me rëndësi që këto gra të jenë të përfshira edhe në fushatën elektorale, duke i trajtuar temat jo vetëm që lidhen me çështjet e gruas, sepse trajtimi i çështjeve të grave vetëm nga gratë ato po i ri margjinalizon”, thotë zonja Halimi.

Edhe Blerta Aliu nga koalicioni i organizatave jo qeveritare “Demokracia në Veprim”, kishte thënë se kufizimi prej 30 për qind është rrjedhojë e mos harmonizimit të ligjeve.

“Ligji për barazi gjinore kërkon që të ketë një përfaqësim të barabartë në këto lista megjithatë e kemi ligjin për zgjedhjet e përgjithshme që parasheh kuotën prej 30 për qind dhe subjektet politike orientohen në zbatim të ligjit për zgjedhjet, derisa kemi një mungesë të harmonizimit të këtyre dy ligjeve”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat