Gjobitet roja i pyllit që pranoi se kishte prerë dru në Parkun e Blinajës - Bota Sot
Gjobitet roja i pyllit që pranoi se kishte prerë dru në Parkun e Blinajës

Kosova

Gjobitet roja i pyllit që pranoi se kishte prerë dru në Parkun e Blinajës

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 15:18
Pamje nga gjykimi

Roja i pyllit, Hashim Drenica, pas pranimit të fajësinë, është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv për keqpërdorim detyre, mirëpo, me pajtimin e tij, ky dënim i është zëvendësuar me 3600 euro gjobë.

Ndërkaq, i akuzuari për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Gjema Shala është dënuar me 1000 euro gjobë.

Këtë aktgjykim e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Po ashtu, të akuzuarit Drenica, i është konfiskuar edhe motosharra dhe drutë e prera, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit, secili veç e veç, janë obliguar të paguajnë nga 50 euro.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit kryesor të mbajtur më 12 nëntor 2019, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Shkëlzen Ibrahimi, dy të akuzuarit kishin pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat akuzoheshin.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 gusht 2019, i akuzuari Hashim Drenica me 27 qershor 2019, në vend gjuetinë me rëndësi të veçantë “Blinaja”, në Lipjan, në cilësinë e personit zyrtar, roje e pyllit, pa lejen e organeve kompetente, gjatë orarit të punës me veturën e tij private, kishte hyrë në këtë zonë, të cilën e kishte nën mbikëqyrje, dhe me motosharrë kishte prerë dru, në sasi 1.2 m3, duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarës “Blinaja”.

Ndërkaq, i akuzuari Gjema Shala, po akuzohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin Drenica, në prerën dhe ngarkimin e druve në veturën e të akuzuarit Drenica.

Prokuroria të akuzuarin Drenica po e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarin Shala me veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat