Nga janari e deri tani në QKUK trajtohen 967 pacientë me infarktin e miokardit

Kosova

Nga janari e deri tani në QKUK trajtohen 967 pacientë me infarktin e miokardit

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 12:53
Foto

Në konferencën e parë ndërkombëtare për trajtimin e hershëm të infarktit të miokardit, e cila po mbahet në Prishtinë, u tha se Kosova ka shënuar progres në trajtimin e hershëm të kësaj sëmundje.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu tha se shëndetësia kosovare është në rrugë të mirë për trajtimin e infarktit të miokardit.

Sipas tij, gjatë këtij viti janë bërë 3500 procedura invazive lidhur me këtë sëmundje.

Sejdiu: Këtë vit janë bërë 3500 procedura invazive intervente

“Kur ta krahasojmë me vite, mund të themi se jemi të stërkënaqur, sepse vitin e kaluar janë arritur 2500 procedura në kardiologjinë invazive dhe ky vit na gjen me 3500 procedura invazive intervente . Krejt kjo fal punës së ekipit, mund të themi në rrethana që kanë qenë të vështira, ka arritur që në mënyrë të shkëlqyer dhe të suksesshme të jetë në dobi të të gjithë pacientëve të Kosovës. Dhe, së fundmi fillimi i infarktit akut 24 orësh në vitin e kaluar dhe këtë vit fillimi i trajtimit në 2 orët e parë, domethënë shumë dhe mendojmë ta zhvillojmë ende, sepse kardiokirurgjia invazive ka mjaft punë“, tha Sejdiu.

Se Kosova nuk qëndron keq në aspektin e trajtimit të kësaj sëmundje  vdekjeprurëse, e ka thënë edhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, Tefik Bekteshi, sipas të cilit mënyra më e mirë e trajtimit të infarktit të miokardit është PCI.

Bekteshi tutje tha se në këtë klinik nga janari deri në këtë periudhë të vitit janë trajtuar 967 pacientë.

Si sfidë për trajtimin sa më të shpejtë të kësaj sëmundje, kardiologu Tefik Bekteshi ka theksuar kohën deri tek arritja në QKUK.

Bekteshi: Në QKUK janë trajtuar 967 pacientë

“Prej janarit janë trajtuar 967 pacientë me diagnozën infarkt i miokardit, por duam të bëjmë përmirësime. Arsyeja që ne e kemi  diagnozën e infarktit të miokardit, do të ishte ideale që ata njerëz të trajtohen brenda dy orëve. Krejt projekti është të luftojmë për këtë kohën e artë që më të vërtetë mundemi të ndihmojmë jo vetëm ta zvogëlojmë vdekshmërinë, por ta zvogëlojmë edhe invaliditetin praktikisht ta lëmë zemrën miokardin e shëndoshë”, tha Bekteshi.

Në këtë konferencë të parë për trajtimin e hershëm të infarkti të miokardit  kishte pjesëmarrës nga Sllovenia dhe Maqedonia, të cilët treguan përvojat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat