Departamenti i Filozofisë dhe SHFK organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Filozofia dhe Natyra”

Kosova

Departamenti i Filozofisë dhe SHFK organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Filozofia dhe Natyra”

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 20:51
Ilustrim

Nesër në Fakultetin Filozofik do të mbahet Konferencë Ndërkombëtare me temë “Filozofia dhe Natyra” me rastin e Ditës Botërore të Filozofisë.

Departamenti i Filozofisë në bashkëpunim me Shoqatën e Filozofëve të Kosovës tash e më shumë se një dekadë organizon konferenca ndërkombëtare për Ditën Botërore të Filozofisë.

Shoqata e Filozofëve të Kosovës që është nën umbrellën e Shoqatës Botërore të Filozofisë gjithashtu në muajin e ardhshëm do të botojë numërin e tretë të revistës shkencore-filozofike “Agora”.

Në Konferencën e cila do të mbahet nesër do të prezantojnë profesorë të huaj dhe vendorë.

Hasnije Ilazi, profesoreshë në departamentin e Filozofisë dhe gjithashtu pro-dekane për mësim në këtë departament, Lekë Nikollbibaj asistent në fakultetin filozofik dhe Shemsi Krasniqi profesor në departamentin e Sociologjisë do të flasin para audiencës tema të ndryshme që lidhen me natyrën dhe filozofinë.

Pjesë e kësaj konference do të jetë edhe profesori shqiptar në Universitetin e Tetë të Parisit, Muhamedin Kullashi.

Përveç profesorëve vendorë, në këtë konferencë do të flasin edhe profesor të huaj nga Kroacia, Polonia e Hungaria.

Hrvoje Juric, Joanna Mysona-Byrska dhe David Weberman do të jenë pjesë e Konferencës.

Konferenca do të fillojë nesër në ora 9:30 në hapësirat e Fakultetit Filozofik në sallën 14.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat