Drenasi ndan 10.000 euro për Shqipërinë

Kosova

Drenasi ndan 10.000 euro për Shqipërinë

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 17:24
Pas termetit

Komuna e Drenasit ka marrë vendim që t’i dërgohet Kuvendit Komunal, propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 10.000 eurove, për të ndihmuar Shqipërinë nga dëmet që i janë shkaktuar nga tërmeti.

Po ashtu, në shenjë solidarizimi dhe ndihme për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri, Komuna e Drenasit ka marrë iniciativë bashkë me bizneset dhe ekonomitë familjare që të ndihmojnë Shqipërinë, duke dërguar pako ushqimore, veshmbathje e gjëra të tjera elementare, në mënyrë që sado pak të lehtësojnë gjendjen e familjeve në këto ditë të vështira.

Për këtë çështje, kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci ka marrë vendim për formimin e ekipit koordinues që do të përkujdeset për pranimin dhe dërgimin e ndihmave nga bizneset dhe qytetarët. 

Kësaj iniciative të komunës, i janë bashkangjitur edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët kanë treguar gatishmërinë që në shtëpitë, banesat e tyre, të strehojnë familjet që janë prekur nga tërmeti. 

Të gjithë të interesuarit që kanë dëshirë dhe mundësi t’i ndihmojnë, mund të kontribuojnë duke u bërë pjesëmarrës në këtë aktivitet, që nesër, më datë 28.11.2019, nga ora 08:00 në oborrin e objektit të vjetër të komunës, të sjellin pako dhe gjërat e tjera që me mjet transportues kamion do të nisen për në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat