Prekazi, vendi ku buron liria

Kosova

Prekazi, vendi ku buron liria

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 14:07
Prekazi

107 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, kanë bërë që shumë qytetarë të vizitojnë kompleksin memorial "Adem Jashari" në Prekaz të Skenderajt.

Këtë vend qytetarët e quajnë të shenjtë, ndërsa thonë se festa e Flamurit këtë vit është shndërruar në dhimbje pas tragjedisë që ndodhi në Shqipëri, e cila u godit nga tërmeti që shënojë edhe shumë viktima.

Për qytetarin nga Rahoveci, Ferit Muharremi, Prekazi është vendi ku duhet të përkulen të gjithë, pasi sipas tij, është vendi nga buron liria e popullit të Kosovës.

Muharremi: Prekazi, vendi ku buron liria

"Nëse shqiptarët besojnë diku, atëherë duhet të besojnë në Adem Jasharin dhe familjen e tij. Nëse duhet të përkulemi për lirinë që sot e kemi, duhet të përkulemi këtu. Gjithçka ka filluar këtu dhe mbaron këtu, liria themelet i ka këtu. Përndryshe pak kjo festë është e mangët për shkak të tragjedisë, termetit që ndodhi në Shqipëri, Durrës, përndryshe do të ishte festa më e madhe e popullit shqiptar. Jemi krenarë dhe mburremi me atë që kemi arritur në saje të kësaj familje", tha ai.

Nga Gjilani për të bërë homazhe në kompleksin memorial "Adem Jashari", kishte ardhur Ekrem Kryeziu, i cili thotë se ky vend është vendi i lirisë së shtetit të Kosovës.

Kryeziu: Prekazi, vendi i lirisë së shtetit

"Është ditë e veçantë në historinë e popullit shqiptar, motivim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Vazhdimisht mundem me e respektuar Ditën e Flamurit dhe me ardhë me e vizituar këtu në vendin e sakrificës, vendin e lirisë së shtetit të Kosovës", tha ai.

Për homazhe pranë varrit të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, kishte ardhur të bënte edhe Hetem Ferizi, i cili jeton në Gjermani.

Ai thotë se ky vend duhet të vizitohet çdoherë, në mënyrë që gjithmonë të kujtohet sakrifica e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.

Ferizi: Prekazi është vend i shenjët

"Këtu duhet me ardhë çdo vit, çdo ditë, kurrë mos me e harruar, të kish pas një çmim Nobel për familjen Adem Jashari për luftë, i kish takuar veç kësaj familje. Kjo familje e cila është në zemrën, në shpirtin tonë dhe krejt popullit të Kosovës dhe krejt shqiptarisë, si në diasporë, si në Shqipëri, si në Qamëri, si në Preshevë, si gjithkund na e kemi këtë vend si vend të shenjtë. Ai që dëshiron të shkojë në Qabe mundet me shkua në Qabe, por Qabe e pejgamber e kemi familjen e Adem Jasharit", tha ai.

Së bashku me familjen e tij kompleksin memorial e ka vizituar edhe Blerim Foniqi, e i cili thotë se Prekazi është historia e gjithë popullit shqiptar.

Foniqi: Familjen Jashari nuk mund ta harrojmë

"Këtu është një vend i shenjtë për të gjithë shqiptarët dhe dolëm për vizitë, mora fëmijët, shoqen...E ka zbehur pak, njerëzit pak a shumë janë orientuar kah Shqipëria për shkak të fatkeqësisë që e ka pasur, por megjithatë ka edhe festa të tjera që ne mund të vijmë...E kemi në mendje gjithë, nuk kemi qysh me e harruar këtë vend, është një histori interesante, nuk e di që e ka dikush në botë këtë histori, do të thotë një familje me luftuar me një ushtri të panumërt", tha ai.

Sot bëhen 107 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa 28 nëntori shënon edhe ditëlindjen e komandantit legjendar të UCK-së Adem Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat