Sheshi i Drenasit madhështohet me shtatoret e heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari

Kosova

Sheshi i Drenasit madhështohet me shtatoret e heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 14:08
Sheshi i Drenasit madhështohet me shtatoret e heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari

Në Drenas janë përuruar shtatoret e heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari në sheshin “Fehmi Lladrovci”, nga ku u tha se në këtë shesh po vendosen emblemat e UÇK-së, identiteti dhe krenaria e kombit shqiptar.

Presidenti Hashim Thaçi theksoi se në këtë ditë të festës së pavarësisë së Shqipërisë, festës së Flamurit Kombëtar, datëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, daljes publike të UÇK-së është sublimi i gjithë angazhimi për çlirim të vendit.

Thaçi deklaroi se sot në këtë shesh po vendosen emblemat e UÇK-së, identiteti dhe krenaria e kombit shqiptar, shtatoret e kujtesës dhe krenarisë së kombit, por para së gjithash edhe mesazhi për të ardhmen e sigurt të shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar     

Thaçi: Në këtë shesh po vendosen emblemat e UÇK-së, identiteti dhe krenaria e kombit tonë

“Sot sheshi ‘Fehmi e Xhevë Lladrovci’ po madhështohet edhe me përurimin e shtatores së Shaban Jasharit, Hamëz Jasharit e Adem Jasharit. Sot po fuqizohet e po madhështohet ky shesh i figurave të bashkëluftëtarëve tanë, Ilazit, Rasimit, Bedriut. Sot ky shesh po madhështohet dhe po dërgon mesazhin e vendosjes së emblemave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me mesazhet e bashkimit kombëtar të figurave të bacës Shaban, Hazmës dhe Ademit”, tha presidenti Thaçi. 

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj tha se Drenasi po jetëson në bronz tri figurat emblematike të historisë sonë të re, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, të cilët në familjen heroike Jashari ndërruan epokat dhe i dhanë zemër popullit për të luftuar pushtuesit.

Haradinaj: Lufta e UÇK-së me Adem Jasharin shënon rimëkëmbjen tonë si komb

“Është i veçantë ky 28 nëntor, sepse këta tre burra në bashkojnë sot në këtë shesh, duke në barë një në zemër ashtu siç ishim e do të jemi gjithmonë. Lufta heroike e UÇK-së në ballë me komandantin legjendar Adem Jashari shënon rimëkëmbjen tonë si komb dhe na kujton nëpër breza se kush jemi, duke na nxitur që të krijojmë vepra të mëdha së bashku edhe në shekujt që vijnë. Falë luftës dhe heroizmit të tyre ne sot e kemi ngritur në këmbë atdheun tonë, kemi Republikën e Kosovës që është e arritura më e madhe e patriotizmit shqiptar pas pavarësisë së Shqipërisë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, tha se për herë të parë në një vend pas skalimit në faqen më të ndritshme të historisë së kombit shqiptar, sot ata janë sërish bashkë të shkrirë në bronz - baca Shaban me Hamzën e Ademin.

Lladrovci: Heronjtë janë këtu për të na ligjëruar dashurinë ndaj atdheut

“Ata janë këtu me qëllimin për të na ligjëruar dashurinë ndaj atdheut, ata janë këtu për t’i thënë qytetarëve tanë se çdo vizitorë këtu në shesh sa e vlefshme është liria. Ata janë këtu për të na udhëzuar për vepra të çmuara për qytetarë dhe kombin. Ata janë këtu për të na treguar se liria nuk ka çmim... Këtu nga sot heronjtë Shaban, Hamëz e Adem Jashari janë bashkuar edhe në shesh bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve të vet, heroinës Xhevë, heronjve Fehmi Lladrovci, Ilaz  Kodrës, Rasim Kiçinës e Bedri Shalës”, theksoi Lladrovci.  

Në emër të familjes Jashari, Rifat Jashari, tha se 28 Nëntori si festë shënon shumë data të rëndësishme për kombin tonë shqiptar. Ai shfrytëzoi rastin nga këtu t’i ngushëllojë familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Jashari: Më 28 nëntor lidhen shumë data të rëndësishme për kombin shqiptar

“Sot më 28 Nëntor lidhen shumë data të rëndësishme për kombin tonë shqiptar. Shfrytëzoj rastin nga kjo foltore t’i ngushëlloj të gjithë ata vëllezër dhe motra nga Shqipëria. Falënderoj kryetarin Ramiz Lladrovci për punën, kontributin për këto shtatore. Urime kjo ditë për të gjithë ju, urime shtatoret, ishalla i mbajmë me nderë, jo vetëm këto këtu, por të gjitha shtatoret ku ekzistojnë të kombit tonë shqiptar”, tha Jashari. 

Një fjalë rasti në emër të shoqatave të dala nga lufta, ka mbajtur Hysni Gucati dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Të pranishëm në këtë përurim ishin përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia, Presheva, Mali i Zi dhe diaspora. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat