Ramiz Tafilaj: Nderimi i deçanasve ka vlerën më të madhe se i Donald Trump-it

Kosova

Ramiz Tafilaj: Nderimi i deçanasve ka vlerën më të madhe se i Donald Trump-it

Nga: Adem Lushaj Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 17:55
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shqiptaro-amerikani, Ramiz Tafilaj, është ndër personalitetet më të shquara shqiptare në botë, që bën promovimin e vlerave tona historike, kulturore, artistike dhe shkencore, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Humaniteti dhe angazhimi i tij prej atdhetari, është vlerësuar lart edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dekoruar me çmimin më të lart presidencial, "Për arritjet jetësore"!

Me Ramiz Tafilaj u takuam në fshatin e tij të lindjes. U takuam në Gjakovë. U takuam në Deçan. Nuk kishte ardhur për ta zhvilluar biznesin e tij, por të botoi dhe të jetë pjesëmarrës i disa promovimeve të librave me tematika të ndryshme, të autorëve shqiptar nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Ai, në bagazhin e makinës kishte përplot tituj të librave, të financuar nga shtëpia e tij botuese, Jalifat Publishing. Një gjë të tillë kishte bërë edhe për qytetin e lindjes, për Deçanin. Ishte shprehur i lumtur pse ishte në mesin e bashkëvendësve të tij. Kishte kënaqësinë pse kishte financuar botimin e monografisë “Resurset malore të Deçanit dhe turizmi”, ngase fëmijërinë e tij e kishte kaluar, mu nëpër këto bjeshkë.

I lindur më 1949 në fshatin Dubravë të Deçanit, ishte djali i tretë në mesin e pesë djemve të Rexhep Tafilaj. Pasi kishte kryer studimet në Zagreb të Kroacisë, merr rrugën e migrimit, drejtë Houstonit të SHBA-ve. Me 1973, kishte mërguar në Amerikën e largët, duke u bërë emër si biznesmen dhe humanist, pa dallim nacionaliteti. Tafilaj, asgjë nuk kishte kursyer për mbështetje të vendit të tij, shtetit të Kosovës. Si veprimtar i madh i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe Ballkan, ka sponsoruar mbi 100 studentë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, shumë prej të cilëve kishin banuar në shtëpinë e tij. Në fundvitet '80-ta, ua bëri të qartë Shteteve të Bashkuara, domosdoshmërinë për ta përkrahur Kosovën dhe për të themeluar një parti demokratike, që sot është Lidhja Demokratike Kosovës. Ishte njëri nga njerëzit e afërm të ish Presidentit, dr. Ibrahim Rugova. Aktiviteti i këtij veprimtari të palodhshëm, është vlerësuar vazhdimisht nga populli dhe qeveria amerikane. Një vlerësim meritor e ka bërë, edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, duke e dekoruar me çmimin më të lartë për arritje jetësore, “President’s Lifetime Achievement Award”. Në letrën e tij të dekorimit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka falënderuar Tafilajn për arritjet e tij, duke thënë: "Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj, kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë”, është shprehur Trump me rastin e dekorimit të njeriut të urtë, shqiptaro-amerikanit Ramiz Tafilaj, i cili u nderua veçanërisht për punën e jashtëzakonshme për shqiptaro-amerikanët dhe për punën e tij në çështjet shqiptare në Ballkan. Po ashtu, presidenti amerikan është shprehur, “Në emër të një Kombi mirënjohës, ju falënderoj për shërbimin tuaj jetësor ndaj bashkëqytetarëve amerikanë dhe atyre që më së shumti kishin nevojë. Keni siguruar vazhdimësinë e përkushtimit të pashoq të Amerikës për të përmirësuar jetët e të tjerëve".

Çmimi i Presidentit për Arritje Jetësore (President’s Lifetime Achievement Award) është shpërblimi më i lartë për vullnetarët në Shtetet e Bashkuara.

Ramiz Tafilaj si pronar i shtëpisë botuese "Jalifat Publishing", ka botuar shumë vepra letrare, historike dhe shkencore. Me modestinë prej atdhetari dhe dashamirës i natyrës, i bjeshkëve, i vendlindjes së tij, boton edhe monografinë "Resurset malore të Deçanit dhe turizmi", promovimi i së cilës ishte bërë në Deçan, nën organizimin e kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj. Me rastin e promovimit të kësaj monografie që pasqyron vetëm disa nga resurset natyrore të Deçanit, "Shoqata e Intelektualëve të Pavarur" në Deçan, ka ndarë një falënderim modest për Ramiz Tafilaj, si vlerësim për kontributin që po jep, në promovimin e vlerave historike, kultuore, artistike dhe shkencore. Por, për Tafilajn, nderimi i bërë nga deçanasit e shumtë që ishin prezent, është nderimi më i madh që iu është bërë ndonjëherë atij. "Jam nderuar nga Presidenti Trump dhe populli amerikan. Por, nderi që më bëhet nga populli im, nga vendlindja ime, ka vlerën shumë më të madhe", është shprehur Tafilaj me rastin e pranimit të këtij falënderimi, për të cilin, “e ka vlerën e pa kompensueshme”. I emocionuar është shprehur se nuk do të ndalet në rrugën e tij, në përkrahje të vazhdueshme të promovimit të vlerave shqiptare, kudo në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat