Konferenca e Handikos, thirrje për zbatimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara

Kosova

Konferenca e Handikos, thirrje për zbatimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, Eldin Gashi, nga Grupi Avokues i Fëmijëve “Hëna”, bëri thirrje të zbatohen të drejtave e tyre dhe kërkoi që të përfshihen në agjendën e politikave lokale dhe nacionale.

“Të jesh fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë është të përballesh me disa barriera, barriera në qasje fizike, arsim, shëndetësi. Për të tejkaluar këto barriera, në kuadër të Handikos kemi formuar një grup qe e kemi quajt ‘Hëna’. E ka një mision qe është garantimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuar”, tha Gashi.

Në një konferencë për shënimin e kësaj dite, drejtori i Handikos, Afrim Maliqi tha se kjo ditë fokusohet ne ngritjen e vetëdijes, sensibilizimin e shoqërisë që ka të bëjë me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Ende nuk është arritur krijimi mundësive të barabarta sikur për qytetarë të tjerë. Ka mungesa të shumta të shërbimeve të ndryshme, zbatimit të ligjeve, infrastruktura e posaçme që i diskriminon personat me aftësi të kufizuar në raport me të tjerët”, tha ai.

Ndërsa James Mugaju nga Zyra e Unicef në Kosovë bëri thirrje për gjithëpërfshirje në shoqëri.

Përveç prezantimit të situatës së personave me aftësi të kufizuar, Handikos ka shfaqur edhe një video vetdijësuese për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në vend.

Konferenca u përmbyll me ekspozitën “Stick Up for Wow”- Women on Wall, që ka për qëllim të fuqizojë gruan me aftësi të kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar është inicuar nga Kombet e Bashkuara që nga viti 1992, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat