Numri i madh i aksidenteve mbetet problem kryesor për institucionet

Kosova

Numri i madh i aksidenteve mbetet problem kryesor për institucionet

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 11:40
Foto ilustrim

Banorët e zonave rurale ndihen më të sigurt se sa ata të zonave urbane. Pothuajse 50 përqind e qytetarëve në Kosovë nuk ndihen te sigurt.

Kështu u tha në konferencën e organizuar me kryesuesit e këshillave komunalë për Siguri në Bashkësi. Ani pse u organizua për kryetarët e komunave, pjesëmarrës në këtë takim ishin vetëm kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe ai i Mamushës, Abdylhadi Krasniq.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, në këtë takim me kryetarët e Komunave të Kosovës ,tha se është me rëndësi që sot po diskutojnë për dy tema, për sigurinë në trafik dhe për të riatdhesuarit nga Siria në Kosovë.

“ Duke qenë se gjatë prillit ne kemi riatdhesuar qytetarë të ardhur nga Siria diskutimi është i pashmangshëm. Siç jeni në dijeni Kosova ka riatdhesuar 110 persona nga Siria. Qëllimi parësor i këtij angazhimi është riatdhesimi i qëndrueshëm. Kemi një përkrahje edhe nga kryetarët e komunave, Ministria e Arsimit. Ne do të vazhdojmë të përcjellim me kujdes të gjitha zhvillimet për të kthyerit nga Siria", tha Mustafa.

 Ai ka diskutuar edhe për aksidentet e shumta në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas tij është koha e fundit kur institucionet duhet të ndërmarrin diçka për minimizimin e aksidenteve.

“Duke analizuar numrin e aksidenteve të trafikut rrugor, numri i përgjithshëm është 14 mijë e 313. Bazuar në gjendjen aktuale, duhet të ndërmerren masa për sigurinë në trafik", tha Mustafa.

Killan Wahl nga OSBE tha se në bazë të hulumtimeve gjysma e qytetarëve në Kosovë, nuk ndihen të sigurt.

“Puna e Policisë ka kontribuar në perceptimin e sigurisë kohëve të fundit. Dhe niveli i besimit qëndron në 61 përqind, e që është përqindje e mirë krahasuar me vendet e rajonit. Sipas hulumtimeve të kryera nga UNDP më shumë qytetarët ndihen të sigurt në vendet rurale se sa urbane, tha ai.

Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi tha se gjatë vitit 2019 ne Prishtinë kanë vdekur 10 persona si pasojë e aksidenteve.

 "Aksidentet me dëme kanë shkaktuar rritje, ndërsa me lëndime, vdekje kanë shënuar rënie. Janar-nëntor të vitit 2019,krahasuar me vitin paraprak kemi 7 persona më pak të vdekur. Edhe vitin 2019 e karakterizon vitin me projekte policore", tha ai.

Fejzullah Mustafa nga Ministria e Infrastrukturës, tha se duhet të parashihet buxhet për rritjen e sigurisë rrugore, për çka tha se kanë mungesë. Mosha më e rrezikuar, siç tha ai është ajo mbi 18 vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat