QKUK: Rast i rrallë, i shpëtohet jeta gruas 39-vjeçare pas shtatzënisë me çarje aorte

Kosova

QKUK: Rast i rrallë, i shpëtohet jeta gruas 39-vjeçare pas shtatzënisë me çarje aorte

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 14:04
Foto ilustrim

Pacientes H.B. (39) i është shpëtuar jeta nga kardiokirurgët në QKUK, e cila, pas lindjes, kishte pësuar çarje- diseksion akut të aortës me prezencë të flapit intimal, duke filluar nga valvula aortale, me përfshirje edhe të aortës abdominale, duke shkaktuar edhe diseksion të arteries së djathtë të zemrës, respektivisht infarkt akut të murit të poshtëm të zemrës, pamjaftueshmëri të valvulës aortale. Ndryshimet tjera ishin vërtetuar edhe me CT.

Pacientja ishte transferuar nga Emergjenca e Ferizajt në QKUK, me dhimbje të forta në gjoks dhe me shenja në EKG të infarktit akut, të murit të poshtëm të zemrës dhe me nivel të lartë të troponinës. 

Ajo ka deklaruar se ka pasur lindje normale katër ditë më parë (dhe kjo ishte lindja e saj e tretë me radhë). Gjatë këtij intervenimi kirurgjik  është bërë Bentall procedurë (ndërrim i valvulës aortale, rrënjës së aortës dhe zëvendësim të aortës ascendente me graft) dhe bypass-urëzim i arteries së djathtë të zemrës përmes venës në graftin aortal). 

Operacioni ka kaluar pa komplikime dhe me menaxhimin e duhur të stafit në mjekimin intensiv kardio-kirurgjik dhe repartin e kardiokirurgjisë, pacientja është lëshuar në shtëpi me gjendje të mirë të përgjithshme dhe lokale, në ndjekjen e këshillave të udhëzuara nga klinika në përdorim të terapisë së rregullt. 

Disekacioni i aortës haset në 3 raste, në 100.000 banorë, është më i shpeshtë te meshkujt se sa te femrat. Faktorë të rreziku janë hipertensioni, duhanpirja, displipidemit dhe sëmundjet e lindura të indit lidhor. 

Zakonisht, në shumicën e rasteve paraqitet pas moshës 60 vjeçare, ndërsa në 10% të rasteve para moshës 40-vjeçare. Te femrat e moshës nën 40-vjeçare disekacioni akut i aortës haset në 50% të rasteve gjatë shtatzënisë apo pas lindjes.  

Stafi i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive bën me dije të gjithë qytetarët e Kosovës se për çdo nevojë sa i përket sëmundjeve të zemrës, të drejtohen në QKUK, pa pasur nevojë të kërkojnë ndihmë në qendrat tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat