SBASHK-u mund të vazhdojë me greva, prindërit të shqetësuar

Kosova

SBASHK-u mund të vazhdojë me greva, prindërit të shqetësuar

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 08:26
Ilustrim

(E plotësuar) - Në çerdhet, shkollat dhe universitetet publike të Kosovës sot është mbajtur grevë dy orëshe në shenjë pakënaqësie me mos zbatimin e Ligjit të Pagave, të cilin javën e kaluar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese pasi që kishte pranuar ankesa se ka shkelje në këtë ligj.

E vendimin për greva Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e mori ditë më parë para se Gjykata Kushtetuese të dalë me vendimin për pezullim të Ligjit të Pagave deri në mars të vitit 2020.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala ka konfirmuar se në të gjitha institucionet arsimore publike në vend është duke u mbajtur grevë dy orëshe.

Shala:  Në të gjitha institucionet arsimore mbahet grevë dy orëshe

“Pra në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës sot do mbahet grevë dy orëshe duke filluar nga çerdhet e deri në universitet. Çerdhet grevën do e fillojnë nga ora 06:30 deri në orën 08:30, shkollat e mesme të ulëta dhe shkolla e mesme e lartë grevën do e zhvillojnë dy orët e para të dy ndërrimeve do thotë se orët e tjera do të vazhdojnë me proces mësimor ashtu siç është e paraparë. Ndërsa universitetet grevën do e fillojnë që nga ora 08:00 deri në orën 10:00...Vendimi për mbajtjen e kësaj greve është marrë para pezullimit të Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese dhe qëllimi i kësaj greve ka qenë që të shprehet pakënaqësi në rast të mos implementimit të Ligjit të Pagave”, tha Shala.

Shala tutje tha se pasi që dje ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese për pezullim të Ligjit të Pagave duke mos i përjashtuar grevat  tha se kryesia e SBASHK-ut do mblidhet për të marrë vendim lidhur me vendimin e Kushtetueses.

Shala: Nuk i përjashtojmë grevat

“Besoj së shpejti pasi t’i marrim mendimet e mësimdhënësve dhe anëtarëve të anëtarësisë sonë...Ne do të kërkojmë nga këshilli drejtues dhe sindikatat komunale që të bisedojnë me anëtarësinë që të sjellim një vendim të mëtutjeshëm. Nuk e përjashtoj as grevën, por nuk e them se do mbahet grevë, një vendim të tillë e sjell këshilli drejtues i SBASHK-u si organi më i lartë në mes të dy kongreseve”, tha ajo.

Të pakënaqur me grevat që po i organizon SBASHK-u u shprehën prindërit të cilët thanë se po dëmtohen nxënësit.

Fadil Cana ka deklaruar se më mirë do ishte që këto greva të organizoheshin pas orarit mësimor, pasi që do gjenin edhe përkrahjen e vetë prindërve.

Ai tha se edhe rezultatet e testit PISA kanë treguar gjendjen e arsimit në Kosovë, prandaj sipas tij këto greva nuk janë të dobishme për nxënësit.

Cana: Kërkojmë protestat të mbahen jashtë orarit mësimor

“Të organizonin protesta jashtë orarit mësimor edhe vetë iu kisha bashkuar se me të vërtetë është njëfarë krize iu kisha dhënë edhe suport, por orën e mësimit mos ta ngacmojnë sepse me të vërtetë edhe rezultatet e PISA-s na treguan se kah jemi me arsim edhe këto nuk po di  ku me gjet motivin për t’i motivuar fëmijët tanë së pari për të vijuar mësimin”, tha ai.

Media mëngjesin e sotëm ka qëndruar tek shkolla fillore e mesme e ulët” Faik Konica” dhe “Naim Frashëri” në Prishtinë, por nuk u lejua të marrë pamje dhe deklarata nga mësimdhënësit për grevën e mbajtur.

Nxënësi i klasës së nëntë në shkollën fillore të mesme të ulët “Faik Konica”, Jorik Ibrahimi tha se mësimdhënësit iu kanë dhënë atyre që të shkojnë në shkollë edhe pse mësimi nuk do mbahet dy orët e para.

Ndonëse thotë se këto greva nuk iu shkaktojnë shumë telashe, Joriku kujtoi grevën tre javore të vitit të kaluar e cila tha se ajo i dëmtoi.

Ibrahimi: E dimë që ka greva por na kanë thënë të vijmë në shkollë

“Po por na kanë thënë të vijmë në shkollë....Mua nuk më pengojnë shumë se vetëm dy orët e para por që ka qenë para një viti ajo greva na ka dëmtuar shumë  dhe na shkurtuar pushimet verore”, tha ky nxënës.

Për shkak të pezullimit të Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese greva janë duke mbajtur edhe sistemi shëndetësor përveç Klinikës Emergjente.

Grevë dy orëshe në institucionet arsimore

Në të gjitha shkollat, çerdhet dhe universitetet publike të Kosovës ka nisur greva dy orëshe në shenjë pakënaqësie me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pezulloi Ligjin e ri të Pagave deri në fund të muajit mars.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala konfirmoi për KosovaPress se greva dy orëshe në të gjitha shkollat dhe çerdhet dhe universitetet publike ka nisur të mbahet sipas orarit të planifikuar.Ajo tha se grevë dy orëshe do të ketë edhe në orarin e pasdites.

Sipas saj kjo grevë nuk po mbahet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por për atë që Avokati i Popullit, Hilmi Jashari e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo paralajmëroi se së shpejti do të mblidhet kryesia e SBASHK-ut për të marrë vendim lidhur me vendimin për pezullim të ligjit të pagave nga Kushtetuesja.

KosovaPress ka qëndruar mëngjesin e sotëm për të parë ecurinë e grevën në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Faik Konica" në kryeqytet,  por që nuk u lejua të hyjë në objektin e shkollës.

Edhe prindërit po shprehen se nuk janë të kënaqur që po mbahen këto greva sepse sipas tyre po dëmtohen nxënësit.

Kujtojmë që për shkak të pezullimit të Ligjit të Pagave edhe sektori i shëndetësisë është në grevë, derisa përkrahje i kanë dhënë edhe Sindikata e Policisë dhe ajo e Shërbimit Korrektues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat