Kosova ka mbi 10 mijë vullnetarë të rinj të regjistruar

Kosova

Kosova ka mbi 10 mijë vullnetarë të rinj të regjistruar

Më: 15 dhjetor 2019 Në ora: 10:27
Arbrita Uka duke bërë punë vullnetare

Në Kosovë janë të regjistruar mbi 10 mijë të rinj të cilët bëjnë punë vullnetare në komunitet. Në mesin e këtyre personave është edhe Arbrita Uka, 18 vjeçare nga Lipjani, studente e Fakultetit të Shkencave Matematikë-Natyrore në Universitetin e Prishtinës.

Ajo thotë se u angazhua në punë të ndryshme vullnetare duke ndarë kohën e saj për fëmijët e familjeve me asistencë sociale, në ruajtjen e ambientit në shkollat fillore në Komunën e Lipjanit dhe aktivitete tjera.

“Arsyeja pse unë bëj punën vullnetare është se më bën të ndihem mirë dhe më plotëson shpirtërisht, por ndihmoj edhe të tjerët, njoh njerëz të rinj dhe bëj aktivitete të reja. Me qenë vullnetare është diçka e vlefshme dhe diçka e mirë dhe i kisha inkurajuar edhe të tjerët ta bëjnë këtë punë”, thotë Uka.

Kosova ende nuk e ka Ligjin për Vullnetarizëm. Në Kosovë puna vullnetare rregullohet përmes Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, i miratuar në vitin 2009.

Puna vullnetare e të rinjve, sipas këtij ligji, rregullohet me kontratën për punë vullnetare ndërmjet organizatorit dhe vullnetarit të ri dhe duhet të njihet si përvojë pune e cila do të konsiderohet si përparësi në rast të konkurrimit për punësim.

Vullnetar, konsiderohet ai person i moshës 15 vjeç deri 24 që ofron shërbime pa pagesë në të mirë të shoqërisë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ndihmën e UNICEF-it, ka krijuar platformën për njohjen e punës vullnetare e cila ishte funksionalizuar me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ për Punë Vullnetare të të Rinjve në vitin 2016.

Kastriot Mehmetaj, administrator i platformës për njohjen e punës vullnetare në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i vullnetarëve të regjistruar gjatë viteve të fundit në Kosovë ka shënuar rritje.

Aktualisht sipas tij, janë të regjistruar gjithsej 10362 vullnetarë.

“Vet numri që tregon se janë të regjistruar mbi 10 mijë vullnetarë tregon për interesimin e të rinjve, si dhe çdo ditë kemi vullnetarë që regjistrohen në platformë. Nëpërmjet platformës ekzistojnë shumë mundësi që ofrojnë organizatat e ndryshme, ku shumica prej tyre janë mjaft atraktive për të rinjtë”, thotë Ahmetaj.

Ai thotë se jo të gjithë të rinjtë regjistrohen në platformën për punë vullnetare pasi që mungon informimi.

“Vullnetarët duhet të regjistrohen në platformën – Kosovovolunteers.org, dhe pasi që përfundon punën vullnetare, organizatori i punës vullnetare kushdo qoftë OJQ, shoqatë ose çdo lloj tjetër që është në pajtueshmëri me udhëzimin administrativ për punën vullnetare ia certifikon orët e punës vullnetare, ku pastaj ato orë i verifikojmë ne si ministri i monitorojmë dhe i certifikojmë”, thotë ai.

Puna vullnetare, sipas Arbrita Ukës, nuk sjell përfitime, por sjell, siç thotë ajo, kënaqësi shpirtërore pasi që kontribuohet në mirëqenien e komunitetit.

Ajo tregon që së fundi, së bashku me dy shoqet e saj vendosën që përmes hapjes së një biznesi të vogël që bazohet në prodhimin e ushqimit të xhemit nga frutat, fitimet t’i ndajnë për aktivitete vullnetare që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.

“Jam duke punuar në një projekt timin dhe dy shoqeve të mia, Majlinda Avdiu dhe Argjenta Gashi. Ideja e ‘super-xhemit’ ka nisur në prill të vitit 2018 në një punëtori të organizuar nga UNICEF-i. Kishim një trajnim dhe në ditën finale ‘super-xhem’ është zgjedhur si projekt dhe është mbështetur me një grant prej 2 mijë eurove nga UNICEF-i”, tregon ajo.

Ajo thotë se nga prodhimi i xhemit, mundohen që një pjesë të fitimit ta ndajnë për zhvillimin e biznesit e një pjesë tjetër për aktivitetet vullnetare që organizohen në të mirë të mjedisit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat