Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe KPM-së

Kosova

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe KPM-së

Më: 8 janar 2020 Në ora: 23:35
Pamje nga takimi

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, përmes të cilit studentët e gazetarisë do të njihen nga afër me funksionimin praktik dhe rregullimin ligjor të mediave elektronike në Kosovë.

Kjo marrëveshje, sipas njoftimit të UP-së, do të mundësojë sigurimin e praktikës dhe ngritjen profesionale të studentëve, të cilët falë një formimi akademik më të zhvilluar, do të jenë më të përgatitur për tregun e punës.

UP-ja thotë se studentët të cilët e kryejnë praktikën do t’i krijojnë vetes mundësi për të eksploruar fusha të ndryshme të karrierës, të cilat ata mund t’i ndjekin pas përfundimit të studimeve.

E ky bashkëpunim, sipas rektorit të UP-së, Marjan Dema, është vazhdimësi e shtrirjes së bashkëpunimit të UP-së ndërmjet institucioneve publike dhe kompanive private.

“Sot jetojmë në epokën e informacionit dhe gazetaria është një shtyllë e rëndësishme në shoqëri, që unë besoj se sa ma gazetarë profesional të japim, aq më shumë i kontribuojmë kësaj shoqërie. Kjo marrëveshje është rezultat i punës së Departamentit të Gazetarisë, të cilët i falënderoj për përkushtimin”, theksoi rektori.

Ndërsa, kryetari i KPM-së, Mujë Ferati, tha se kjo marrëveshje do t’u mundësojë studentëve të gazetarisë që të informohen më shumë rreth funksionimit të mediave elektronike në Kosovë.

“Qëllimi i këtij memorandumi është që të përcaktohen modalitetet dhe të përcaktohen mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet KPM-së dhe Departamentit të Gazetarisë të UP-së”, tha ai.

Si komponentë tjetër e marrëveshjes do të jetë bashkëpunimi në realizimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me edukimin medial, përfshirë organizimin e debateve, ligjëratave, trajnimeve dhe aktivitete tjera që ndërlidhen me fushën përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat