Shabani: KPMSHCK jo funksional, 405 ankesa ende të pa trajtuara

Kosova

Shabani: KPMSHCK jo funksional, 405 ankesa ende të pa trajtuara

Më: 14 janar 2020 Në ora: 14:25
Shabani

KPMSHCK që nga data 21 janar të vitit të kaluar nuk mund të marrë asnjë vendim sa i përket ankesave të shërbyesve civilë e krejt kjo për shkak që ky këshill nuk është funksional.

Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Eshref Shabani në një intervistë  për KosovaPress tha se ky Këshill nuk është më funksional për arsye se anëtarët nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen trysnive politike dhe se shumë shërbyes civilë mbesin pa punë nëse Qeveria do t’i ketë vetëm 12 Ministri.

Shabani: KPMSHCK nuk i nënshtrohet trysnive politike

“Besoj që me gjithë insistimin tonë që këshilli të plotësohet, këshilli i pavarur mbikëqyrës ka qenë ‘fyt i ngushtë’ sa i përket marrëdhënies së punës së shërbimit civil. Këtu ka pas interferime të ndryshme nga ana e të gjitha partive politike, mos t’i veçoj me emra, por arsyeja që ky këshill ka mbetur në këtë gjendje unë besoj që ka qenë këmbëngulësia e anëtarëve të këshillit që të mos i nënshtrohemi trysnive politike dhe jam plotësisht i bindur që për këtë arsye nuk janë zgjedhur anëtarët e këshillit”, thotë Shabani për KosovaPress.

Për të gjithë ata që kanë adresuar dhe vazhdojnë të adresojnë ankesa derisa  KPMSHCK nuk është funksional, Shabani njofton se ato mund të drejtohen edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku në Departamentin për Çështje administrative aktualisht janë 405 ankesa të pa trajtuara.

Shabani: Ankuesve iu dërgojmë njoftim që Këshilli nuk është funksional

“Afati për drejtimin e një ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil është 45 ditë, pas kësaj periudhe ne ankuesve ia dërgojmë një njoftim që këshilli nuk është funksional dhe në bazë të dispozitave ligjore kundër heshtjes administrative në thonjëza ta quajmë ‘heshtje administrative’ të Këshillit, po ashtu mund t’i drejtohen Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjegjësisht departamentit për çështje administrative”, u shpreh Shabani

Shabani thotë se e ka njoftuar me kohë Kuvendin e Kosovës për skadimin e mandatit të anëtarëve dhe për mos funksionalizim e KPMSHCK, ashtu si e kërkon  edhe ligji që tre muaj para skadimit të mandatit të çdonjërit anëtar të njoftohet Kuvendi.

Shabani shprehet i shqetësuar që me krijimin e Qeverisë së re dhe me ristrukturimin e saj, ku supozohet se do të jenë vetëm 12 ministri, shumë shërbyes civilë do të mbesin pa punë.

Shabani: Shumë shërbyes civilë mbesin pa punë nëse Qeveria do t’i ketë 12 Ministri

“Pa punë do të mbesin shumë shërbyes civilë. Unë mendoj për shkak se ristrukturimi do të jetë bukur shumë i dhimbshëm, se me zvogëlimin nga 20 Ministri a 21 sa janë momentalisht në 12 ministri, shumë shërbyes civilë duhet të transferohen, e lejon ligji transferimin në rast të ristrukturimit të institucioneve,  por nëse janë 8 drejtorë të administratës është vështirë t’iu gjendet të gjithëve punë dhe unë kam frikë që disa shërbyes civilë mund edhe të mbesin pa punë në rast të themelimit të Qeverisë së Kosovës me 12 ministri”, u shpreh Shabani.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës, është institucion që bazën e ka në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.

Ky institucion përbëhet prej 7 anëtarëve, të cilët emërohen nga Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i Këshillit zgjidhet nga vet anëtarët e Këshillit, ndërsa mandati  i të gjithë anëtarëve të Këshillit është 5-vjeçar.

Funksionet e  Këshillit janë të përqendruar në shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civil dhe aplikuesve për punësim në shërbimin civil të Kosovës, mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil  dhe vëzhgimin e zgjedhjes së nëpunësve civil te nivelit drejtues dhe niveleve të njëjta ne Institucionet e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat