Qindra të punësuar rrezikohen për shkak të problemeve me energjinë elektrike

Kosova

Qindra të punësuar rrezikohen për shkak të problemeve me energjinë elektrike

Më: 15 janar 2020 Në ora: 12:26
Kompania “Evroenergie”

Problemet me energji elektrike, duke përfshirë mungesën apo kualitetin tani e 20 vite, janë duke e dërguar drejtë falimentimit kompaninë “Evroenergie”, e cila ka të punësuar rreth 260 persona dhe është duke menduar që biznesin e tij ta zhvendosë në Maqedoni me çka rrezikohen qindra të punësuar ndërsa shteti mund të humbasë qindra mijëra euro si tatime.

Kjo kompani që ofron shërbime për tregun gjerman funksionon që 9 vite. Kompania “Evroenergie” që nëntë muaj, është vendosur me zyre në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ku edhe ka filluar problemi me energji elektrike.

Drejtori i kësaj kompanie Hamdi Malushaj, thotë se furnizimi i dobët me energji elektrike po e vështirëson punën e kompanisë së tij, për shtoi se ka menduar që biznesin e tij ta zhvendosë në Maqedoninë e Veriut.

Ai thotë se është detyruar të blejë gjenerator dhe pajisje për stabilizim të rrymës, pasi që nuk kanë pasur mundësi të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Malushaj: Rryma e ulët është fatale për pajisjet elektronike

“Fatkeqësisht e kam prej fillimit të punës, problemin kam filluar në këto zyre të reja duke menduar se nuk është problem se është në pjesën e infrastrukturës së qytetit, ku nuk ta kap edhe truri që duhet me u ballafaqua me këtë problem. Kemi do të thotë deri në 110 volt një fazë, një fazë 150, një tjetër do të thotë tensioni i ulët rrjeti shumë i dobët. Përveç asaj, shpesh bie dhe çka është më e keqja rryma e ulët është fatale për pajisjet elektronike, të cilat mi ka djegur shumë herë dhe më ka krijuar kosto që jam në fazën e mbijetesës për shkak të energjisë se fitimet e mia e më shumë se fitimet është duke më shkuar tek rryma. Kam blerë pajisjen për stabilizim të rrymës dhe ajo u djeg, tash po presim me ardhë tjetra, mirëpo unë nuk po di çka të them për 50 të punësuar dhe e kemi rrezikun e madh për me qenë bashkëpunëtor kualitativ, me pas besueshmërinë e partnerëve tanë në Gjermani, kjo nuk është diçka që lehtë e kuptojnë që këtu është problemi. Ne kemi bërë infrastrukturën duke i paraprirë me gjenerator e me krejt pajisjet tjera, por rryma kur nuk vjen me kualitet ajo është e pamundur me zhvillua afarizëm”, thotë ai.

Ai thotë se ka pasur raste kur qytetarët që jetojnë në afërsi janë ankuar për shkak të zhurmës së gjeneratorit dhe se inspektorati u ka shqiptuar dënime.

Malushaj thotë se ka adresuar disa herë këtë problematikë në KEDS, por që sipas tij asnjëherë nuk ka gjetur mirëkuptim dhe gjendja nuk është përmirësuar.

Malushaj: E kemi njoftuar KEDS-in, nuk kanë ofruar zgjidhje

“Ndoshta jo në masën e duhur prej pabesimit që nuk e kemi tek KEDS-i, sepse e shohim si derë të mbyllur për me gjet zgjidhje. E kam lajmëruar, kam shkuar, është i regjistruar rasti, problemi, por a ka pasur reagim, jo. A është kujdesur dikush jo, iu ka krijuar një kaos atyre që nuk e dinë ku më përpara me u drejtua”, shprehet ai.

Po ashtu, ai thotë se si pasojë e problemeve me energjinë elektrike e kanë detyruar të mendojë që si biznes të zhvendoset në Maqedoninë e Veriut, derisa i bënë thirrje institucioneve të vendit qe të kujdesen më shumë për bizneset.

Malushaj: Mund edhe të largohem si biznes

“Veç duhet me mendua me u largua me biznes me dal me infrastrukturë ndoshta me shku në Maqedoni, për shkaqe të qasjes së shtetit ndaj bizneseve. Qasja e shtetit ndaj bizneseve, shteti nuk e ka prioritet biznesin, shteti nuk është duke u kujdesur për biznesin, po e ka humbur rrugën se sigurisht në popujt më primitiv disa njerëz akomodohen mirë edhe në fiset e Afrikës atje ku bëhen lufta të mëdha ata shefat e tyre janë të akomoduar nuk i kanë problemet e qytetarëve. Edhe qeveria jonë, edhe njerëzit e shtetit ton nuk i kanë hallet tona, unë iu bëjë thirrje që le të zbresin me këmbë në tokë, të shohin problemin, le të shohin të ardhmen e fëmijëve të tyre, a është ky vend edhe i fëmijëve të tyre a veç i joni e i të tjerëve”, thotë Malushaj.

Ai tregon se energjia elektrike disa herë i ka shkaktuar prishje në pajisje, për çka shtoi se është detyruar të investojë mijëra euro për riparim.

Malushaj: Veç gjeneratori ka kushtuar 20 mijë euro

“Veç gjeneratori që duhet me e ble në kësi rrethanash që duhet patjetër me e ble si biznes është 20 mijë euro, pajisja me e stabilizua rrymën 3 mijë e 500 euro, po djegia e pajisjes gjeneratorëve, sistemi i serverëve janë të pallogaritshme. Më të rëndin e kemi problemin e ndërprerjes së kontratës për shkak të paaftësisë tonë për të kryer punë, e aftësia jonë është e shkëlqyeshme me bashkëpunëtorët, por problemi i infrastrukturës e cila domosdo do të duhej të ishte në rregull. Unë bëjë thirrje të institucioneve të shtetit nëse nuk janë bashkë me KEDS-in kundër neve, atëherë le të veprojnë ata, veç le ta dinë se ne jemi në hall”, tregon ai.

Ndërsa Arta Shehu, udhëheqëse e sektorit në “Evroenergie”, thotë se problemet që po u shkakton energjia elektrike po ndikojnë edhe tek partnerët e tyre, për çka u shpreh se po u rrezikohen edhe kontratat me këto kompani.

Shehu: Klientët kanë qenë të preokupuar se çka po ndodh pse nuk kanë funksionuar telefonatat

“Kemi pasur vështirësi deri në atë pikë ku kemi pasur edhe diskutime edhe me klientët tanë në Gjermani, të cilët kanë qenë të preokupuar se çka ka ndodhur në njërën ditë pse nuk kanë funksionuar telefonat, pse nuk është lajmëruar kurrkush në zyrën e juaj. Ne për shembull në atë ditë të caktuar ndoshta nuk kemi mundur për shkak se ka pasur probleme me rrymë, do të thotë është problemi se bie një fazë në ndërtesë dhe rrjedhimisht ndoshta në njërin kompjuter ose tjetrin nuk funksionon qasja siç duhet dhe me këto probleme po duhet me u ballafaqua... Deri tash ne si kompani jemi munduar maksimalisht me i parapri problemeve të tilla, e kemi gjeneratorin i cili punon nëse bie një fazë, i kemi dy qasje të internetit ku nëse bie njëra hyn në fuqi tjetra, do të thotë jemi munduar maksimalisht me i parapri krejt problemeve të mundshme. Por, po e shohim se edhe ajo po na e vështirëson përditshmërinë, sepse nuk munde mi ne të gjitha problemet me i mbikëqyrë”, thotë ajo.

Kp ka provuar të marrë një përgjigje nga KEDS lidhur me këtë problematikë, por zyra për media nuk ka kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat