Dëshmitari thotë se pa pasur nevojë, mjeku në Gjakovë insistonte t’i vendoste stenta nënës së tij

Kosova

Dëshmitari thotë se pa pasur nevojë, mjeku në Gjakovë insistonte t’i vendoste stenta nënës së tij

Më: 24 janar 2020 Në ora: 16:08
Pamje nga gjykata

Dëshmitari Ukshin Kelmendi, ka deklaruar se pasi që vëllai i tij e kishte dërguar nënën për kontrolle mjekësore në Spitalin Regjional të Gjakovës, mjeku Luan Pazhari, i kishte thënë se ajo “ka vetëm edhe gjashtë orë jetë”.

Një deklaratë të tillë e tha dëshmitari Kelmendi, gjatë dëshmisë që ka dhënë të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Stenta 2”, ku për korrupsion po gjykohen 41 mjekë të spitaleve publike të Kosovës.

Fillimisht, dëshmitari Kelmendi tha se nëna e tij, kishte pasur disa probleme shëndetësore, diku mes viteve 2011 dhe 2013, për çka e kishte dërguar në një Qendër të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.

Disa ditë pas kësaj kontrolle që kishte bërë, dëshmitari tha se vëllai i tij, e kishte thirrur në telefon dhe i kishte thënë se nënës së tij i kishin mbetur vetëm edhe rreth gjashtë orë jetë.

Këto fjalë, sipas dëshmitarit, ia kishte thënë vëllait të tij, mjeku tashmë i akuzuari në këtë rast, Luan Pazhari, ndërsa të njëjtat fjalë ia kishte përsëritur pastaj edhe atij dhe familjarëve të tjerë.

Sipas dëshmitarit, mjekët i kishin thënë se nëna e tij kishte pësuar një infarkt në zemër për çka gjatë kontrollit në Qendrën e Mjekësisë Familjare nuk kishin pasur dijeni. Mjeku Pazhari, sipas dëshmitarit, i kishte thënë se nënës së tij, duhet t’i vendosen stenta.

Kur nga prokurorja e çështjes, Florije Salihu-Shamolli u pyet se a i kishin treguar se ku duhet të vendoseshin këto stenta, dëshmitari u përgjigj se nuk e din saktë, vetëm se tha se ambulanten ia kishin përgatitur, por atij i mungonin paratë, përkatësisht 5000 euro, aq sa i kishin thënë se do kushton një shërbim i tillë.

Këto para, dëshmitari tha se i kishte kërkuar nga vëllai i tij. Ky i fundit, sipas Kelmendit, kishte punuar për disa vite në një Klinikë në Gjermani dhe pasi që e kishte parë terapinë për nënën e tij, i kishte thënë dëshmitarit të merr nënën dhe ta dërgonte në shtëpi, pasi nuk ka kurrgjë.

“Unë kam kërkuar pare nga vëllai që është jashtë, kam kërkuar 5000 euro dhe vëllai kërkoi terapinë pasi edhe ai atje ka punuar në një Klinikë në Gjermani dhe ai më tha ço nanën në shtëpi se nuk ka kurrgjë”, deklaroi dëshmitari.

Përkundër kësaj, dëshmitari tha se kishte kërkuar sërish nga një koleg i doktorit Pazhari që t’i bëhen kontrollet nënës së tij dhe kur kishte shkuar pas 4-5 orëve për t’i marr analizat e reja që ishin bërë, doktori të cilit dëshmitari nuk deshi t’ia përmend emrin, i kishte thënë se gjendja e nënës së tij, nuk është ajo që i kishte thënë mjeku Pazhari.

Për këtë arsye, ky mjek sipas tij, i kishte thënë dëshmitarit që të merr nënën e tij dhe ta dërgonte në shtëpi, por pa e vërejtur kolegët e tij.

“Kur më ka dhënë rezultatet ka qenë gëzimi më i madh i jemi dhe unë në atë moment kam shku të shtëpia, por nëna nuk e pranonte atë rezultat dhe unë kisha frikë me ja kallëzu rezultatin se mos po ju tregon kjo doktorëve dhe këtu mbetet viktimë pala që më ka thënë të tërheki nënën nga spitali. Unë i kom thënë Luan Pazharit se du me tërhek nënën nga intensiva se nuk kom pare për stenta, por i njëjti ka insitu mos me tërhek. Ka qenë me gjithë doktor Amir Ilazin”, tha dëshmitari Kelmendi.

Prokurorja Shamolli e pyeti dëshmitarin lidhur me rezultatet e analizave të mjekut të cilit dëshmitari nuk deshi t’ia zbulojë identitetin, me dëshmitarin që u përgjigj duke thënë se ai mjek i kishte thënë se nëna e tij e ka pas një atak shumë më herët, por që nuk është rrezik tash.

Pasi që kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri e pyeti dëshmitarin se kush e kishte caktuar shumën prej 5,000 euro për stenta, dëshmitari u përgjigj se një informatë të tillë e kishte marr nga i akuzuari Pazhari.

Pas insistimeve të mjekut Pazhari, që të mos e tërheq nënën e tij nga spitali, dëshmitari tha se kishte pranuar që të njëjtës të shkojnë së bashku me mjekun Pazhari në një klinikë private për t’i bërë një incizim, i cili tha se i ka kushtuar 150 ose 250 euro.

Këto para, dëshmitari tha se ia kishte dhënë të akuzuarit Pazhari në dorë dhe për to nuk kishte pranuar ndonjë dëshmi.

“…pastaj unë kam shku prapa doktor Luan Pazharit, me veturë deri në një spital privat që gjendet dikun në dalje të Gjakovës. Nuk e di çfarë aparati është bo, koronografi apo çka, por e di që kam paguar 150 apo 250 euro, nuk më kujtohet. Doktori gjatë momentin kur e kontrolloi, thojke nuk është normal me pas infarkt e mos më shkaktu dëmtime të zemrës. Mandej e kam marr e kam dërguar në shtëpi”, deklaroi dëshmitari.

Tutje, dëshmitari tha se dy apo tre muaj para se t’i ndodhte rasti i nënës së tij, probleme të ngjashme kishte pasur edhe halla e tij.

“Pse ka ardhur deri te kjo, unë e di saktë, sepse 2-3 muaj më herët kam qenë edhe me hallën, te Luani dhe ky ka thënë se halla i ka punët keq me zemër dhe më ka thënë se 800 euro kushton një incizim dhe unë i kom thënë se këtë shumë nuk e përballoj, atëherë ai ka thënë 250-300 euro. Axha i ndjerë, më ka dërguar parat nga Gjermania dhe kur jam shku unë aty, dhe djemtë e hallës kanë bërë fjalë me Luanin dhe pastaj e kanë nxjerr hallën pa fletëlëshim pa kurrgjë. Unë bashkë me Luanin kam tentuar të ndali hallën me bo qatë incizimin ma të lirë por djemtë e hallës nuk pranun. Kur vëllai e ka dërgu nënën Luani e ka ditë që është nëna e jem, se ky ka mëndu që kam pare se unë kom insistu me ndal hallën”, tha dëshmitari.

Se nuk kishte pasur nevojë fare për stenta, dëshmitari tha se ia kishte provuar edhe një mjek tjetër, Zeqë Kuqi, tek i cili e kishte bërë një kontroll tjetër për disa probleme me të vonshme që i kishte pasur nëna e tij.

Sipas dëshmitarit, kur i kishte treguar mjekut Kuqi, se nënës së tij kishin dashur t’i vendosnin stenta, i njëjti i kishte thënë se nëna e tij nuk i ka enët e gjakut të ngushtuara dhe nuk ka nevojë për stenta.

Po ashtu, dëshmitari tha se nëntor të vitit të kaluar e kishte bërë edhe një fotografim të nënës së tij në Spitalin Regjional të Gjakovës, ku sipas tij, shihet se nëna e tij ka pas nevojë për ngushtim të zemrës, e jo për zgjerim.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Pazhari, avokatit Korab Bokshi, dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse i kishte ofruar prova materiale prokurorit gjatë dhënies së dëshmisë së tij atje, ndërsa e pranoi se kishte pranuar fletëlëshim me rastin e largimit të nënës së tij nga spitali, por të njëjtin tha se nuk e ka me vete në seancë.

Pasi që i akuzuari tha se e ndien veten të dëmtuar dhe siç tha “Luan Pazhari ka bo terror ndaj familjes së tij”, avokati Bokshi e pyeti dëshmitarin se pse nuk ka bërë padi pasi e ndien veten të dëmtuar.

“Kom prit me ju ardh rezultati tani e boj”, ishte përgjigja e dëshmitarit.

Për këtë dëshmi të Kelmendit, avokati Bokshi tha se ka vërejtje, pasi sipas tij, dëshmia ka qenë konfuze dhe ka pas kundërthënie në deklarimet e tij.

“A keni dëshmi për pagesën që thatë se keni paguar 250 euro?” e pyeti i akuzuari Pazhari dëshmitarin, me këtë të fundit që tha se dëshmi për pagesë nuk ka, mirëpo paratë ia kishte dhënë në dorë.

“Unë jam kon me vëllain, nënën edhe një familjar mundem me shku në zyre ku ja u kom dhënë, për hir të asaj që the shkoj në xhami e të tjera, duhesh me thënë të vërteten”, iu drejtuar dëshmitari, të akuzuarit Pazhari.

E për këtë deklarim të tij, Pazhari tha se kërkon që dëshmitari që t’i sjellë dëshmitë.

Pasi i akuzuari Gani Bajraktari e pyeti dëshmitarin se a ishte interesuar i njëjti se si është e mundur të vendosen stenta pa i bërë koronarografi, dëshmitari u përgjigj duke thënë se “vete Luanin”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gjykatësit Shashivar Hoti, dëshmitari tha se ky mjeku të cilit nuk po dëshiron t’ia zbuloi identitetin, punon në Spitalin Regjional të Gjakovës dhe se analizat që ia kishte bërë nënës së tij, kishin qenë të njëjtat me ato që ia kishte bërë edhe mjeku Pazhari, mirëpo rezultatet kishin dal ndryshe.

“Kur ti e more nenën tende, me çfarë baze e qove ne ambulantë me bo fotografim kur rezultatet thane se nuk kanë nevojë?”, e pyeti gjykatësi Hoti dëshmitarin.

“E kom dërgu qe mos me dal ai person (mjeku të cilit nuk ia zbulojë identitetin), sepse Luani insistoi qe mos me dal nëna nga spitali”, tha dëshmitari.

E i akuzuari Pazhari, kërkoi që të gjithë personat e apostrofuar gjatë dëshmisë së dëshmitarit të ftohen si dëshmitar.

Para se të dëgjohej dëshmitari Kelmendi, në gjykatë është paraqitur edhe një dëshmitar tjetër, Zeqirija Maxhuni, mirëpo, pasi që i njëjti tha se problemet shëndetësore i kishte pasur në vitet 2007 – 2009, prokurorja Shamolli tha se tërhiqet nga propozimi për dëgjimin e këtij dëshmitari, pasi ajo periudhë kohore nuk përfshihet në aktakuzë.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2”, kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi dhe Ferihane Sefa.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 42 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galin Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani ishin shpallur fajtor në prill 2019, me c’rast Agani ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani me 2 vjet burgim efektiv. Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve, ky rast tashmë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private pritet të fillojë së shpejti, pasi që aktakuza ndaj tyre është konfirmuar nga dy instancat gjyqësore.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat