Mblidhen doktorët: S’ka asnjë rast të virusit kinez, duhet të qëndrojmë në gatishmëri

Kosova

Mblidhen doktorët: S’ka asnjë rast të virusit kinez, duhet të qëndrojmë në gatishmëri

Më: 27 janar 2020 Në ora: 14:43
Mblidhen doktorët

Në Institutin Kombëtar është mbajtur një takim midis Komitetit për sëmundje ngjitëse, ku u diskutua për pneumoninë virale me koronavirus.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, prof. dr. Naser Ramadani, lidhur me këtë sëmundje tha se akoma nuk e kemi asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht, me koronavirusin. Por, theksoi se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetëror e institucional, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

Po ashtu, ai tha se Instituti është i gatshëm, për menaxhimin e të gjitha rasteve dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike, ndërsa shtoi se nuk ka nevojë për panik, por, sipas tij, ka nevojë për kujdes.

Përfaqësuese nga Zyra e OBSH-së në Kosovë, prof. dr. Isme Humolli, u shpreh se tashmë është duke u bërë komunikimi i rrezikut me publikun dhe punonjësit shëndetësorë. Ndërsa, tha se matja e temperaturës së udhëtarëve me laser, në Aeroportin e Prishtinës, mund të mos jetë aq efektive, në zbulimin e kësaj epidemie.

Prof. dr. Ariana Kalaveshi, tha se ekzistojnë disa paqartësi, lidhur me këtë epidemi, siç është periudha e inkubacionit të sëmundjes, e cila ende nuk dihet saktë.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj, potencoi faktin se kanë bërë kërkesë që të pajisen me maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, si edhe tregoi planin për të krijuar një repart të izolimit, brenda kësaj klinike, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti.

Në fund të takimit, u vendos që të formohet një Grup punues, në lidhje më pneumoninë virale me koronavirusin.

Komiteti per sëmundje ngjitëse rekomandon të gjithë, që t’i përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat