Këtë pamje do ta ketë për festë të pavarësisë “NewBorni”

Kosova

Këtë pamje do ta ketë për festë të pavarësisë “NewBorni”

Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 18:56
NewBorn

Pamja e monumentit “NEWBORN” çdo 17 shkurt ndryshon duke përçuar një mesazh për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Këtë vit “NEWBORN”  i kushtohet të gjitha viktimave të abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës.

Në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook të këtij monumenti thuhet se “NEWBORN” këtë vit do të shndërrohet në akronim ku secila shkronjë e nis një fjalë, duke e përpiluar këtë fjali, të shkruar në pjesët anësore të monumentit: Never, Ending, Wars, Bring, Oppression,Rape & Neglect. Në shqip do të thotë “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime e shpërfillje”.

Image

Postimi i plotë në Facebook:

Çdo 17 Shkurt Monumenti NEWBORN tradicionalisht ia përçon një mesazh gjithë botës nga Kosova në Ditën e Pavarësisë së saj, duke e ndryshuar dukjen, e ndonjëherë edhe formën.

Natyra e mesazhit të përçuar duhet ta përfshijë medoemos Kosovën si pjesë të pandashme të rruzullit, duke prekë çështje që shqetësojnë si vendin tonë, ashtu edhe botën që bashkëndajmë. Deri më tash NEWBORN i ka shprehë vizualisht mirënjohje botës për ndihmën dhënë Kosovës për ta kapërcyer shtypjen, ka nxitur lirinë e shprehjes, ka thirrë kundër izolimit dhe ndërtimit të mureve në vend të urave, si dhe e ka ngritur vetëdijesimin për çështje mjedisore dhe për ngrohjen globale.

Sivjet NEWBORN synon ta prekë një çështje fort të ndjeshme dhe shpesh të lënë mbas dore: viktimat e përdhunimit gjatë konfliktit dhe gjithë mundin e tyre për t’i kapërcyer vuajtjen dhe poshtërimin e përjetuar.

Nuk ka pothuajse asnjë komb a shtet, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, që të mos jetë përballë me këtë çështje të paktën një herë. Sot që konfliktet përndizen nëpër vende të ndryshme, viktimat e tyre kryesisht femra vazhdimisht përdhunohen, ose pas konfliktit i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri.

Vizualisht, këtë vit NEWBORN do të ngjyroset kryesisht në të zezë, duke përfaqësuar shkatërrimin dhe zbrazëtinë që lë mbrapa secila luftë. Germa W do të mbulohet me elemente shprese e lirie në forma të ndryshme lulesh, zogjsh e fluturash, që përfaqësojnë karakterin e brishtë, por megjithatë të rimëkëmbshëm të të gjitha viktimave që mbijetojnë dhe i jetësojnë përpjekjet së bashku, ndërsa format depërtojnë përtej W-së (War [Lufta], Women [Gratë], World [Bota]).

Shpërthimi i pozitivitetit dhe i shpresës do të shtrihet te germat e afërta E dhe B, duke u përhapur edhe nëpër germat e tjera për ta përfaqësuar të vërtetën e ngadaltë, por të pashmangshme se e mira do të ngadhënjejë.

Secila prej germave të zeza do të përmbajë edhe rrëfime të shkurta prekëse ose fjali të mbledhura nga viktima anembanë botës, në shqip e anglisht. Këto copëza janë botuar më parë, duke përshkruar përjetime të tmerrshme dhe kujtime të hidhëta. Ne kemi për qëllim t’i bëjmë njerëzit të vetëdijshëm për përvojat e tmerrshme nëpër të cilat u detyruan të kalonin këto viktima.

Gojarisht, NEWBORN shndërrohet në akronim (ose, më parë, në poezi akrostike), ku secila germë e nis një fjalë, duke e përpiluar këtë fjali, të shkruar në pjesët anësore të monumentit:

Never

Ending

Wars

Bring

Oppression,

Rape &

Neglect

(Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime e shpërfillje)

Kushtuar të gjitha viktimave te abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat